Muzeu i Kristaleve të Kosovës “Trepça”, thesar i Kosovës

02 korrik 2021 | 11:10

Kosova ka pasuri të shumta. Ka tokë flori. Ka vende të bukura për turizëm dhe vende historike, arkeologjike dhe me përplot gojëdhëna dhe mite. Një prej bukurive të saj të shumta e të veçanta është Muzeu i Kristaleve të Kosovës “Trepça”, i cili shtrihet në mes të maleve të Pretenit dhe atyre të Kutllovcit, përskaj rrugës që shpie për në malet e bukura të Shalës së Bajgorës. Në këtë galeri të mijëra kristaleve të Kosovës më mirë dhe më shumë se askund tjetër vlerësohet pasuria e madhe nëntokësore që ka Kosova.

Në këtë muze, të cilin e vizituam në kuadër të projektit “Observimi i traditës” ditë më parë, janë të ekspozuara mbi 1 900 eksponate, me 65 lloj kristalesh, nga të cilat mbi 90 % janë kristale të minierës së Trepçës në Stantërg, ndërsa të tjerat janë nga minierat e tjera të Kosovës, por edhe nga minierat e vendeve të ndryshme të botës të cilat hëm ia kanë dhuruar muzeut, hëm i njëjti i ka blerë sa për ekspozitë, veçanërisht me Gjermaninë, Italinë, Francën, Spanjën, Brazilin, ka bërë këmbim me disa prej kristaleve të nxjerra nga miniera e “Trepçës”.

Përveç kristaleve të Trepçës, në muze janë ekspozuar edhe mjete të vjetra pune me të cilat kanë punuar xehetarët në fillimet e punëve në minierë e që kanë mbi njëqind vjet jetë.

Muzeu është hapur në vitin 1960 në një objekt tjetër, pak metra më tutje nga objekti i ri i cili, për shkak të vjetërsisë dhe mosplotësimit të kushteve për ekspozim dhe për ruajtje të kristaleve, është mbyllur dhe është ndërtuar objekti i ri në vitin 2012 i cili vizitohet nga vizitorë të huaj dhe vendorë, në stinë të ndryshme të vitit.

Muzeu “Trepça” konsiderohet një nga vendet më atraktive turistike që vlen për t’u vizituar, pasi llogaritet perlë jo vetëm e qytetit të Mitrovicës, por e gjithë Kosovës.

Për të hyrë në minierën e “Trepçës”, në njërën nga minierat më mëdha në botë të metaleve të plumbit, zinkut, arit dhe argjendit, për ta parë punën e minatorëve, duhet leje e posaçme dhe paraprake.

Sipas ciceronit të muzeut, Ibrahim Musa, muzeu ka kristale kryesisht nga galaniti, sfaleriti, piriti, pirotina, kuarci, kalciti etj. Në mesin e tyre ka edhe kristal-minerale shumë të çmuara e të rralla, siç janë vivianiti dhe lludllomiti. Është i veçantë edhe kristali galeniti në formë të pjatës, të cilin e quajnë “kristali i Nju-Jorkut”, pasi ka formën e këtij qyteti amerikan. Po sipas Musës, iniciativa për themelimin e muzeut ka rrjedhur nga një grup minatorësh entuziastë, të cilët në vitin 1960 grumbulluan një numër kristalesh që kishin nxjerr nga miniera.

Historiku i “Trepçës” dhe i minierës

Miniera “Trepça” në Stantërg i përket qytetit të Mitrovicës. Për herë të parë në literaturë emri “Trepça” përmendet më 1303 në dokumentet që ruhen në Arkivin e Dubrovnikut (Republika e Kroacisë), si dhe në arkivat osmane. Hulumtimet e para gjeologjike në të filluan në vitin 1924, kur gjeologët anglezë filluan kërkimet për mineralizimet polimetalore sulfure të Pb – Zn, në suaza të fushës xeherore të “Trepçës” në Stantërg. Më vonë, saktësisht në vitin 1926, në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin “Trepça Mines Limited”, e cila merr me koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi për 50 vjet.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjermanët e mbajnë minierën e “Trepçës” në Stantërg në gjendje punë, por me një nivel të zvogëluar të prodhimit. Ndërsa nga viti 1945 e tutje, deri më 1990, miniera ka punuar pa ndërprerë, me një kapacitet mesatar të prodhimit rreth 600 000 tonë në vit. Disa nga vendburimet sulfure (“Trepça” në Stantërg, Belo Brdo, Cërnac, Përroi i Ngjyrosur,  Artanë), edhe sot, pas luftës së fundit në Kosovë (1998/99), janë në shfrytëzim. Ndërkaq vendburimet si: Hajvalia, Badovci dhe Kishnica janë të zhytura në ujë dhe kanë mbetur pa kurrfarë mbikëqyrje edhe pse para luftës (më 1988/99) ishin prodhuese të rëndësishme të xehes Pb, Zn dhe Ag etj. Ndërkaq, pas luftës, gjatë periudhës së viteve 2000-2004, miniera nuk ka prodhuar, por ka qenë në permanizim, hulumtim dhe përgatitje të punishteve për prodhim. Vetëm në vitin 2005 miniera ka filluar prodhimin e xehes Pb dhe Zn me kapacitet minimal.

 

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë. Fusnotat i hoqi redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trashëgimia kulturore është një temë shumë e rëndësishme në të…