Muzeu që synon të zbërthejë historinë e parave
Muzeu i ri i ekonomisë “Citeco”, po tenton që të bëjë të kuptueshme dhe argëtuese historinë misterioze të parave. Nga arti deri të filmat, ka shumë për të zbuluar brenda mureve të këtij pallati, më shumë si një vilë luksoze.
Thonë se paratë bëjnë që bota të rrotullohet dhe kjo vlen edhe për një muze të mirë: “Cité de l’économie et de la monnaie” (Qyteti i ekonomisë dhe parave) është një muze i ri i cili është hapur këtë verë në Paris. I quajtur shkurt “Citeco”, është vendosur në qendër të ndërtesës “Banque de France”.
Lokacioni i muzeut nuk kishte sesi të ishte më i denjë – një kështjellë si një vilë e ndërtuar nga bankieri Emile në fund të shekullit XIX –përmbajtja është e larmishme. Pamje nga filmi i shkurtër i vitit 1915 i Charlie Chaplin, “The Bank”, shfaqen brenda një dhome-kasafortë. Një vepër arti nga artisti francez, Christian Champin, mirëpret vizitorët: Djibrila, një skulpturë e një lopë e realizuar nga mbetjet e metalit, ka për qëllim që të theksojë problemin e mbiprodhimit përreth globit.
Përderisa një njeri mund ta imagjinojë një muze për ekonominë që të jetë pakëz i mërzitshëm, në fakt, e kundërta është e vërteta. “Citeco” përmban më shumë se 50 video dhe 20 video-lojëra po ashtu fotografi dhe skulptura në koleksionin e tij. Aty është, po ashtu, edhe një skulpturë që nuk i ikën shikimit, një metër e lartë e realizuar nga qindra lëpendra, perla, guaska dhe monedha, të cilat në një kohë të caktuar kanë shërbyer si mjete për pagim. Muzeu tenton që të provojë se një histori komplekse e ekonomisë mund të sqarohet në një mënyrë origjinale dhe gjallëruese.
Muzeu, po ashtu, do të mirëpresë disa ekspozita imagjinare dhe interaktive. Samitet për klimën do të mbahen në një sallë të rindërtuar për konferenca, gjatë të cilës vizitorët mund të marrin rolin e prezantuesve të shteteve dhe të negociojnë me njëri-tjetrin.
Për shumicën e njerëzve në Francë, ecuria e ekonomisë globale është e vështirë për t’u kuptuar, ka thënë drejtori Philippe Gineste në hapjen e muzeut. Ai beson që njerëzit e të gjitha moshave dhe profesioneve mund dhe duhet të kuptojnë ekonominë dhe shpreson që “Citeco” do të ndihmojë në këtë proces.
“Citeco” është mbështetur nga “Muzeu Interaktiv i Ekonomisë” në Mexico City. Ai ka qenë muzeu i parë për biznes, multimedial dhe interaktiv, i cili është hapur 13 vjet më parë. Tani ai ka rreth 250 mijë vizitorë në vit.
Muzeu i ri i Parisit shtrihet në distriktin luksoz “17” me një pamje të mrekullueshme. Arkitekti kryesor i ndërtesës ka qenë Jules Fevrier, i cili ishte inspiruar nga kështjella “Loire” në Francë për këtë strukturë të Renesancës së re. Për të dëshmuar ndikim e saj, ndërtesa ka edhe një urë lëvizëse që kalon përtej liqenit që e rrethon.
E ndërtuar me mermer, tulla dhe xham, me tavane të larta të zbukuruara me dru dhe mure me zbukurime, ndërtesa është padyshim luksoze. Në vitin 1919 ishte blerë nga Banka Kombëtare e Francës, “Banque de France”. Sot ajo është një ndërtesë historike.
Një nga pikat kyç të saj është “Salle de coffres” një dhomë-kasafortë brenda së cilës fshihen rreth 110 kasaforta, më parë të mbushura me pasuri. Sot, filma shfaqen në këtë hapësirë dhe vizitorët mund të dizajnojnë parët e tyre.
Vetë muzeu po kalon nëpër disa thashetheme në lidhje me shumën se sa ka kushtuar. Është raportuar se për realizimin e muzeut janë përdorur rreth 50 milionë euro. Mirëpo, prapa skenës po ka spekulime që totali i kostos ka qenë dy herë më i madh. Projekti është financuar nga Banka Kombëtare e Francës që sot është anëtare e sistemit Evropian të Bankave Qendrore. E se çfarë është Sistemi Evropian i Bankave Qendrore? Një vizitë në “Citeco” mund të japë këtë përgjigje./DW