‘My short words’ fiton çmimin e parë në ‘Hyjnesha në Fron’ 2018
Më 27 gusht në stacionin e trenit në Prishtinë është mbajtur ceremonia përmbyllëse e edicionit të 11-të Fest Film Kosova 2018.
Ceremoninë e shpalli të hapur me një fjalë hyrëse drejtoresha ekzekutive e festivalit Makfire Miftari, e cila më pas ka shpalosur edhe emrat fitues të festivalit të sivjetmë të filmit Fest Film Kosova ‘Hyjnesha në Fron’ 2018.
Ky edicion kishte një program mjaft të pasur me kategori të ndryshme filmash, të shkurtë, të mesëm, dokumentar, të gjatë dhe për fëmijë.
Gjithashtu pjesë e këtij edicioni ishin edhe punëtori të ndryshme profesionale dhe një ekspozitë.
Filmat u shfaqën në tri kinema; në vagon treni statik, në stacion të trenit dhe në kino Armata.
Mbrëmja e fundit pas ceremonisë së çmimeve u pasua me një koktej për të pranishmit dhe muzikë të lehtë qytetare live nga Bashkim Gagica.
Juria në përbërje të artistëve: Edwin Mingard (filmbërës, Mbretëri e Bashkuar), Mark Norfolk (regjisor, Mbretëri e Bashkuar), Agim Sopi (regjisor, Kosovë), Kimete Berisha (publiciste, Kosovë), Naser Shatrolli (dramaturg, Kosovë) dhe Yll Berisha (regjisor, Kosovë) në kategorinë e filmave të gjatë me çmimin kryesor të festivalit e shpërblyen filmin me regjisor dhe produksion turk ‘My short words’ (Fjalët e mia të shkurtra).