Myftiu Naim Tërnava uron Ipeshkvin Dodë Gjergji për Krishtlindje
Me rastin e Kërshëndellave, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i ka dërguar telegram urimi Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit.
“I nderuari ipeshkëv, Dodë Gjergji, Sot, me rastin e festës së Kërshëndellave, kam nderin e veçantë t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi e përgëzimi juve, meshtarëve tuaj, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Kërshëndella, është moment i veçantë që simbolizon e përkujton lindjen, jetën e mbarësinë”, ka thënë Tërnava në mesazhin e tij.
Tërnava ka theksuar se kjo festë përçon në mënyrën më të mirë mesazhin për ndërtimin e shoqërisë së shëndosh e humane.
“Zotni Ipeshkëv, festat fetare te ne gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, nga të cilat kemi mësuar e kultivuar tolerancën, harmoninë, ndërgjegjësimin për paqen e respektin e dashurinë për tjetrin. Zotni Ipeshkëv, nëpërmjet jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë. Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi”, ka thënë ndër të tjera në mesazhin e tij Tërnava.