![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/06/3083D4C6-E904-47E2-BB1C-30C8A164260F.jpeg)
Myftiu Tërnava dhe ambasadori turk Sakar vizituan objektet e restauruara në Gjakovë
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me një pjesë ta kabinetit, dhe së bashku me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, kanë vizituar Medresenë e Vogël të Gjakovës, si dhe tri xhamitë e restauruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Turqisë.
Myftiu Tërnava dhe ambasadori z. Sakar u shprehën tejet të kënaqur me rezultatin dhe punën që është bërë në të gjitha objektet, të cilat përveç restaurimit kanë ruajtur edhe origjinalitetin së bashku me trashëgiminë që bartin në vetvete.
Me këtë rast Myftiu Tërnava e falënderoi Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Turqisë e cila ka mundësuar restaurimin e këtyre monumenteve siç janë, si tri xhamitë dhe Medreseja e Vogël të Gjakovës të cilës iu është shtuar edhe Qendra Profesionale për trajnimin e imamëve dhe nëpunësve fetarë.
“Sot ne me ambasadorin e Turqisë z. Sakar, po vizitojmë katër nga pesë objektet që i ka restauruar dhe një pjesë të tyre ndërtuar që nga fillimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Turqisë e cila është edhe investitorë e këtyre objekteve shumë të vjetra si dhe falënderoj ambasadorin që ka treguar gatishmëri që të vij e t’i vizitoj këto objekte dhe është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe dhe ky është edhe një argument shtesë që BIRK dëshiron të ruaj trashëgiminë e lashtë fetare, kulturore e historike dhe kjo trashëgimi fletë vetë për historikun tonë dhe lus Zotin që donatorët që kontribuuan në ngritjen e këtyre objekteve kaq të rëndësishme të kultit fetar të rikthehen në gjendjen e tyre t’i shpërblejë të gjithë ata që punuan dhe dhanë nga pasuria e tyre në finalizimin e këtyre punëve që për neve kanë shumë domethënie”, ka thënë Tërnava.
Edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar u shpreh tejet i kënaqur me realizimin e këtyre projekteve dhe bashkëpunimin shumë të mirë që kanë me BIRK-un.
“Drejtoria e Vakëfeve ka realizuar punime të shkëlqyera, që mua si ambasador më kanë bërë të ndjehem krenar po ashtu falënderoj vëllezërit kosovarë që na e kanë mundësuar këtë mundësi. Falënderim të veçantë shpreh për myftiun Tërnava për angazhimin dhe bashkëpunimin që kemi pasur në realizimin e këtyre projekteve dhe për këtë vizitë që e bëmë sot së bashku”, ka thënë Sakar.
Në Gjakovë nga Drejtoria e Vakëfeve të Turqisë janë restauruar një sërë monumentesh të rëndësishme të trashëgimisë kulturore sic janë Biblioteka e Hadum Agës, Medreseja e Vogël, Xhamia e Sefës, Kusarve, dhe Mulla Jusufit, kurse vazhdojnë punimet në restaurimin e xhamisë së Mahmut Pashës.