Myftiu Tërnava e pret në takim Kurtin: Biseduan për forcimin e vlerave shoqërore
Myftiu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, e ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në njoftimin e BIK-ut është thënë se në takim është bieduar për rolin e fesë dhe promovimin e tolerancës.
Njoftimi i plotë i BIK-ut:
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili shoqërohej nga ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku.
Gjatë këtij takimi, Myftiu Tërnava dhe kryeministri Kurti, biseduan për tema të ndryshme, përfshirë këtu rolin e komuniteteve fetare në forcimin e vlerave shoqërore dhe promovimin e tolerancës ndërfetare.
Myftiu Tërnava me këtë rast theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të Kosovës, duke potencuar kështu rolin konstruktiv të Bashkësisë Islame të Kosovës në krijimin e një shoqërie edhe më tolerante. Ai në veçanti u ndal te ruajtja e trashëgimisë kulturore, historike dhe fetare në Kosovë, ku falënderoi Ministrinë e Kulturës për renovimin e disa xhamive, si dhe për gatishmërinë për renovimin e pesëmbëdhjetë xhamive të tjera të vjetra.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në ruajtjen e harmonisë fetare dhe kombëtare. Ai ritheksoi angazhimin e Qeverisë për të mbështetur të gjitha komunitetet fetare në vend, duke theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.