Myftiu Tërnava priti në takim komandantin e ri të KFOR-it
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur të hënën në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Franco Federici. Në këtë takim njohës, myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje në Kosovë gjeneralmajorit Federici, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e tij, raporton “Epoka e re”.
Ai më pas e njohu me punët dhe aktivitetet që zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Myftiu Tërnava edhe njëherë shprehu mirënjohjen e tij për misionin e KFORI-it, duke shprehur kështu vlerësimin dhe respektin e lartë që kanë qytetarët e Kosovës për ta.
Nga ana e tij, gjeneralmajori Federici ka falënderuar myftiun Tërnava për pritjen, duke e vlerësuar lartë punën dhe angazhimin që ka Bashkësia Islame e Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Ai po ashtu ka vlerësuar harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim.
Gjeneralmajori Federici ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të KFOR-it për krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.
Në fund të takimit, të dyja palët shkëmbyen mes vete stemat e institucioneve që ata drejtojnë.