Myftiu Tërnava: Zoti na thotë: ‘Assesi mos e futni jetën tuaj në rrezik’

24 maj 2020 | 08:02

Myftiu Naim Tërnava, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka dhënë mesazhin e tij në emër të Bashkësisë Islame në Kosovë. Ai ka thënë se është me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë për shkak se këtë mesazh po e përcjell pa xhemat në Xhaminë e Madhe në Prishtinë për shkak të rrezikut nga përhapja e pandemisë Covid-19, njofton Klan Kosova.

Tërnava i ka ftuar qytetarët që në këtë ditë të madhe për të gjithë myslimanët të kenë durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku, duke shmangur vizitat familjare me qëllim të ruajtës së shëndetit.

“Sot jam para jush me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë ngaqë është hera e parë që po ju drejtohem pa xhemat. Megjithatë, sot besimtarët myslimanë kanë arsye të ndihen të gëzuar sepse festojnë njërën prej festave më të rëndësishme në islam.

Agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është themeltar në besimin islam. Përmes këtij ibadeti që në vete përmban sakrificën, manifestohet besimi.

Pas kryerjes së këtij ibadeti besimtari ka arsye që të ndihet i lumtur dhe i gëzuar. Ka arsye që të festojë me familjarët sepse ka kryer një urdhër të Allahut”, ka bërë me dije Tërnava.

Ai ka theksuar se agjërimi i sivjetmë ka qenë i ndryshëm për dallim nga vitet e tjera.

“Qe një kohë par shkak të pandemisë [Covid-19] jemi detyruar të jemi të izoluar në shtëpitë tona. Të gjitha këto vendime jo të lehta janë marrë në të mirë të shëndetit publik sepse këtë e kemi edhe obligim në fenë tonë. Është urdhër nga Zoti i cili na drejtohet duke thënë: ‘Assesi mos e futni jetën tuaj në rrezik’.

Unë e kuptoj ndjesinë e besimtarëve që sot nuk janë në xhami për ta falur Bajramin. Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, por është domosdoshmëri për shëndetin publik”, ka thënë Tërnava.

Në emër të Bashkësisë Islame në Kosovë, Tërnava ua ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Fitër Bajramit, duke iu lutur Allahut që t’i pranojë ibadetet e tyre.

“Në këtë ditë Bajrami ju ftoj që të keni durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku. Ju ftoj që t’i shmangi vizitat familjare vetëm për ta ruajtur shëndetin tonë.

Lutuni në shtëpitë tuaja, bëni namaz, festoni, uroni njëri-tjetrin me mjetet komunikuese. Dashtë Zoti që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit”, ka uruar dhe ka kërkuar mirëkuptim myftiu i Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas agjërimit të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë sot festojnë…