Myzejene Selmani: 17 shkurti 2008 ishte dita më e veçantë e jetës sime
Kosova sot shënon 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Myzejene Selmani, e cila ishte nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë, ka theksuar se 17 shkurti 2008 ishte një ditë e veçantë për të.
“Ishte dita më e veçantë e jetës sime, ishte dita më speciale. Të gjithë ishim nën ethe, ishim kapluar nga emocionet, të gjithë ishim veshur e ishim duke pritur momentin, të cilin e pritëm me vite e dekada e luftuan dhe kontribuan me shekuj. Ishte tejet emocionuese por edhe moment krenarie, që isha pjesë e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës!”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Selmani ka theksuar se kjo ditë nuk do të vinte kurrë por të mos ishte mundi dhe sakrifica e grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të këtij vendi. “Kontributin e Dr. Rugovës dhe pa luftën e UÇK-së e pa intervenimin e NATO-s. Sot falënderojmë dhe nderojmë gjithë ata që kontribuan dhe presim me padurim lirimin e protagonistit të Shpalljes së Pavarësisë, Hashim Thaçit dhe shokëve të tij!”, ka shkruar ish-deputetja Selmani.