MZhE-ja ndan 290 mijë euro për sektorin e arsimit në Gjakovë
Në vazhdën e implementimit të projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë në nivel lokal përmes zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Komunën e Gjakovës.
Ky memorandum i bashkëpunimi kap shifrën totale prej 319 mijë euro, ku 290 mijë sosh do të ndahen nga MZhE-ja dhe 29 mijë nga Komuna e Gjakovës për restaurimin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Ylli Morina” në Gjakovë, duke e bërë atë më efiçiente nën kornizën e zbatimit të planit te zbatimit të masave efiçiente.
Ministri Lluka gjatë fjalimit ka thënë se ky nuk do të jetë donacioni i vetëm që do të bëhet në shkollat e qytetit të Gjakovës.
“Ky investim prej 290 mijë euro nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është pjesë e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në nivel lokal. Me anë të këtij fondi do ta restaurojmë shkollën ‘Ylli Morina’ duke e bërë atë më efiçiente. Ky donacion nuk do të jetë i fundit, ashtu siç kemi investuar më herët në krijimin e laboratorit të informatikës në shkollë, ne do të vazhdojmë me investime në fushën e teknologjisë, duke krijuar qendrën kreative dhe investime të ngjashme do të ndodhin në shkollat tjera të qytetit të Gjakovës”, ka thënë ministri Lluka.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se është shumë falënderues për shumën e ndarë për restaurimin e shkollës.
/Epoka e re/