MZhE-ja: Termocentrali “Kosova e Re” do të ketë ndikim të shumëfishtë në punësim
“Kosova e Re do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik e social në Kosovë, do të eliminojë varshmërinë nga importet dhe humbjet e vazhdueshme në ekonomi si pasojë e mungesës së energjisë”, kështu është thënë në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE).
Sipas këtij njoftimi, vetëm gjatë fazës së ndërtimit do të krijohen rreth 10 000 vende direkte të punës, si dhe mijëra vende indirekte të punës si rezultat i furnizimeve në termocentral, duke nxitur zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik dhe social të vendit.
“Me të përfunduar ndërtimi dhe kur termocentrali bëhet operacional, do të krijohen qindra vende pune afatgjate, me qëllim të operimit dhe mirëmbajtjes së impiantit të ri. Po ashtu, me ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, garantohet vazhdimi i ekzistimit të industrisë minerare të thëngjillit në Kosovë, e cila për dekada ka ndikim shumëdimensional në qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, nga ku do të ruhen dhe gjenerohen vende pune për 40 vitet e ardhshme të operimit të termocentralit të ri’, thuhet në njoftimin e MZHE-së, duke u shtuar se përkundër të qenit vendi i tretë për nga rezervat e thëngjillit në Evropë, pas dy dekadash përballjeje me mungesë të ashpër të energjisë elektrike, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë Amerikane “ContourGlobal”, për të zhvilluar projektin e termocentralit të ri në vend.
“Të dyja kanë njoftuar mbi përzgjedhjen e gjigantit Amerikan “General Electric për kontratën e inxhinierimit, prokurimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes afatgjate të termocentralit të ri, që pritet të sjellë mjaftueshëm rrymë për furnizim të rregullt dhe zhvillim të hovshëm ekonomik. Ndryshe, në mungesë të termocentralit të ri dhe projekteve tjera të energjisë së ripërtrishme, pas mbylljes së termocentralit ‘Kosova A’, vendi mund të përballet me mungesë të dukshme të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, asaj i duhet të varet në importe për furnizim me rrymë në vend. Raporte zyrtare theksojnë se vetëm dhjetë vitet e fundit, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro energji elektrike”, është thënë në njoftimin e MZhE-së.
/Epoka e re/