Na ike kur më së shumti na u deshe

16 janar 2024 | 20:11

E nderuar familje Gashi,

Miq, poetë dhe bashkëveprimtarë të Adem Gashit,

Sot po i japim lamtumirën e fundit mikut tonë të shtrenjtë, poetit ndër më të mirët të letërsisë shqipe, njeriut fisnik të fjalës e të besës, njeriut që ndershmërisht e mbylli dekadën e shtatë të jetës.

Adem miku, nuk e prisnim ikjen tënde kaq herët. Ti kishe ende për t’i dhënë dashuri familjes, leksione për letërsinë miqve dhe shokëve, vargje të bukura poezisë, këngë të pavdekshme rapsodëve.

Ende prisnim që në takimet e përditshme në Edi 2 të flisnim për artin, kulturën, historinë, për njerëzit e mirë të kësaj toke. Erudicioni yt na mahniste të gjithëve dhe të gjithë bëheshim sy e vesh t’i përpinim mendimet tuaja që i shfaqje me thjeshtësi dhe elokuencë.

Modestia jote ishte ndër vlerat e rralla, mik. Bagazhin letrar të mbledhur ndër vite nuk e mbaje për vete, por e transmetoje te miqtë dhe ne të jemi shumë mirënjohës.

Në këto çast dhimbje dhe pikëllimi e kemi të vështirë t’i zgjedhim fjalët për portretin tënd prej idealisti, punëtori të madh e humanisti, veprimtari të çështjes kombëtare.

Jetove e veprove nëpër kohë me stuhi dhe arrite t’i përballosh burrërisht.

Ti qëndrove vertikalisht tamam si i ka hije një njeriu, një intelektuali.

Kjo pra është madhështia e njeriut.

Na ike kur më së shumti na u deshe, por pas vetes ke lënë një trashëgimi të çmueshme për brezat që do të të kujtojnë ndër vite.

Ne humbëm një mik të dashur, ndërsa letërsia humbi një poet, prozator e eseist të papërsëritshëm.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, mik i dashur!

Lamtumirë!

16.01.2024

Izet Abdyli, kryetar i Art Club “Rifat Kukaj”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afrim Hysenaj Sapo m’u dha kumti i trishtuar për Ty,…