NA IKIN NËNAT
JEVGENI JEVTUSHENKO
Na ikin nënat, ikin në qetësi
ikin në majë të gishtave,
urtë dhe pa zhurmë.
Ne hamë e pimë,
të shkujdesur,
bëjmë gjumë,
i tmerrshmi çast na zë në befasi.
Na ikin nënat,
jo shpejt, jo papritur,
na duket si papritur,
po është ndryshe.
Ato largohen dalëngadalë, çuditshëm,
mot e për mot nga pak duke u çapitur.
Një ditë si na shkrepet me nxitim,
ditëlindjen ua festojmë gjithë bujë.
Ky kujdes i vonët
vrimë në ujë,
as nënave,
as tonit shpirt s’i sjell shpëtim.
Na ikin nënat, vazhdimisht na ikin,
ne ua zgjasim dorën në ëndërr,
na del gjumi.
Po duart tona në ajër përpëliten,
ku është ngritur si i qelqtë muri.
Vjen çasti i tmerrshëm,
porse është vonë.
Vështrojmë e me zor i mbajmë lotët,
se si në rreshta të heshtur,
rreshta që qortojnë,
largohen nënat tona përgjithmonë.
(Përktheu nga rusishtja: Drita Lazri. Revista “Akademia”)
JEVGENI JEVTUSHENKO
1933, Zima (Rusi) – 2017, Tulsa (Oklahom, USA)
Poet, prozator, përkthyes, publicist, skenarist i kinemave, regjisor. Ishte ndër përfaqësuesit e shquar të poetëve të viteve ’60-’70 në Rusi. Temperamenti i tij i zjarrtë, urrejtja e sinqertë e gjithçkaje që shtyp lirinë e njeriut, e shtyn atë përtej kufijve të lejuar. Për mbrojtjen publike që i bëri Dudincevit për romanin Jo vetëm me bukë (1967), e përjashtuan nga Komsomoli dhe nga Instituti Gorki por, falë përkrahjes së miqve, e kthyen sërish. Ndër veprat e tij poetike përmendim: Zbuluesit e së ardhmes, Molla, Vrulli i krahut, Rruga numër një, Diga që këndon, Lirikë intime. Ndërkaq, poemat e tij më të mira janë: Borë në Tokio, Nëna dhe bomba me neutron.
Është laureat i Çmimit Shtetëror të BRSS-së (1984) dhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve. Deri në vitin e kaluar jepte mësim në disa universitete të ShBA-së. Në vitin 1992 vizitoi Shqipërinë, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.