Na mungojnë golat e Messit

01 nëntor 2020 | 16:49

Me barazimin ndaj Alavesit shkoi në katër numri i ndeshjeve pa fitore për Barcelonën në La Liga. Një moment delikat ky për skuadrën blaugrana që pranohet edhe nga trajneri Ronald Koeman të cilin më shumë sesa gabimet e gjyqtarëve e shqetësojnë problemet në finalizim që ka skuadra e tij.

Aktualisht blaugranat pozicionohen në vendin e 12-të të renditjes me 8 pikë dhe janë në pozita të vështira pasi Reali i Madridit që ka zhvilluar një ndeshje më shumë ka 8 pikë më tepër, ndërsa Atletico Madridi me të njëjtin numër ndeshjesh sa edhe Barça ka 6 pikë më shumë. “Jam i shqetësuar për performancën që bëmë në sulm. Nuk bëhet fjalë për përqendrim, por duhet të tregohemi më të kujdesshëm përpara portës. Është pikërisht ajo që na ndodhi edhe kundër Juventusit. Ne krijuam shumë raste, por shënuam vetëm një. Madje pësuam dhe një gol. Diçka nuk shkon”, ka thënë Koeman. “Nuk isha shumë i kënaqur me lojën e pjesës së parë. Ishte e komplikuar sepse ato po na i mbyllnin të gjithë hapësirat. Bëra tre ndërrime, pasi ritmi ynë duhej të ishte më i lartë. Edhe pse në pjesën e dytë kishim më shumë raste, ne sërish nuk i shfrytëzuam”, ka shtuar Koeman.

Trajneri holandez foli edhe për Leo Messin, i cili ka shënuar vetëm dy gola në katër ndeshjet e fundit. “Jam i shqetësuar se në katër ndeshjet e fundit kemi marrë vetëm dy të tilla. Mendoj se loja jonë në përgjithësi ka qenë e pranueshme, por duhet të tregohemi më cinikë para portës. Sigurisht që na mungojnë golat e Leos, janë ato goditje që mund t’i cilësoj si finale para se topi të përfundojë në rrjetë”, ka deklaruar ai. Ronald Koeman ka kërkuar nga lojtarët e tij që t’i provojnë goditjet jashtë zonës së rreptësisë, pasi hapësira për të bërë një gjë të tillë në ndeshjen e fundit kundër Alavesit nuk ka munguar por, për fat të keq, nuk u shfrytëzua. “Ndonjëherë mendoj se e kërkojmë shumë pasimin e fundit, kur shumë mirë mund të godasim nga jashtë zonës. Hapësira ekzistonte në mes, por ishte e komplikuar. Duhet të gjesh kohën dhe momentin e duhur kur të provosh diçka të tillë”, ka përfunduar Koeman.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri ka njoftuar…