Nacionale: Vetëvendosje vendos të bojkotojë debatet në Pressing, Rubikon dhe Debat Plus para zgjedhjeve të 9 shkurtit
Në dritën e shmangies së vazhdueshme të dhënies së intervistave në emisionet e njohura politike në Kosovë, burime të mirëinformuara kanë konfirmuar për Nacionalen se Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të bojkotojë emisionet “Pressing” të televizionit T7, “Rubikon” të Klan Kosovës dhe “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, gjatë gjithë periudhës së fushatës elektorale.
Vendimi për të shmangur ballafaqimet vjen vetëm 33 ditë para zgjedhjeve parlamentare, duke ngritur pikëpyetje nëse zyrtarët e pushtetit aktual po i ikin përballjes me gazetarë dhe analistë me përvojë të gjatë në media dhe politikë, ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve.
Një nga sinjalet më të dukshme për këtë vedim ishte një deklaratë e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila u bëri thirrje publike qytetarëve që të mos ndjekin emisionet e mbrëmjes, gjatë një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gazetari Lirim Mehmetaj reagoi ndaj thirrjes së Haxhiut, duke e konsideruar një përpjekje për të shmangur ballafaqimin nga frika se “depërton ndonjë dromcë e së vërtetë dhe e kalon perden me të cilën ua kanë mbuluar kokën”.
“Mos i këqyrni se aty ka rrezik që kuptohet se këta janë narkomanë politik. Ka mundësi që pahiri ju depërton ndonjë dromcë e së vërtetë dhe e kalon perden me të cilën ua kanë mbuluar kokën. Në mbrëmje mbyllni veshtë. Futuni në Tik Tok dhe vizitoni faqet propagandistike të partisë në Pushtet.” – tha ai.
Mllefi i hapur ndaj mediave
Kryeministri Albin Kurti nuk është shfaqur në këto emisione që nga fillimi i vitit të kaluar, kur dha një intervistë për gazetarin Adriatik Kelmendi nga zyra e tij në Kryeministri.
Tensionet e Kurtit me mediat u reflektuan edhe gjatë një interviste të fundit në “RTK Prime”.
Përballë pyetjes rreth nepotizmit të shfrenuar gjatë katër viteve të fundit, Kryeministri Kurti u hodh në kundërsulm, duke kritikuar jo vetëm pyetjen e gazetares së Radio Televizionit Publik, por edhe vetë integritetin e mediave online në Kosovë.
“Titujt… në cilat portale. Këta janë tituj të portaleve. Ne jemi në televizion publik. Portalet sot në Kosovë… me të vërtetë duhet të pyesesh së kush është pronari. Prandaj ne edhe mendojmë që në Kosovë ka nevojë të bëhet Byroja për konfisimin e pasurisë së pajustifikueshme. Çfarë titujsh po shfaqen në portale, me m’i sjellë mu si pyetje në Televizion Publik nuk po më duket në rregull.” – tha ai.
Kurti nuk u ndal me kaq, duke drejtuar gishtin drejt portaleve private në përpjekje për të diskredituar integritetin e tyre: “Shumica dërrmuese e sulmeve të portaleve private, jo publike, janë për shkak se janë kundër Qeverisë. Për shkak se janë për ata që kanë qenë para neve.” – vazhdoi sulmet Kurti./Nacionale