Nacionalistë i vërtetë dhe paraqitja si nacionalistë
Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension
Nacionalistë, një term që duhet vlerësuar por, për çudi, ndër ne shqiptarët është negativizuar në kufi të fundit sepse uniformën e nacionalistit e kanë veshur gjithnjë ata që nuk kanë pasur të drejtë ta veshin.
Pse mendoj kështu?
Sepse ka nacionalistë dhe vrasës e simpatizant të nacionalistëve. Prej këtej evidencoj se ka që janë nacionalistë, por ka shumë që janë thjesht simpatizantë të nacionalizmit dhe deklarohen si të tillë duke qëndruar larg këtij qëndrimi praktikisht e duke vrarë në mënyra nga më të ndryshmet nacionalistët e vërtetë dhe çdo qëndrim nacionalist. Për fat të keq, ndër shqiptarë duket shumë kjo kategori dhe që janë pikërisht këta të cilët bëjnë më së shumti deklarata për nacionalizmin, si dhe janë më agresivë ndaj çdo qëndrimi të qartë nacionalist. Për këtë kategori veprim nacionalist është vetëm ai veprim e qëndrim që kryhet e mbahet prej vetë atyre, le të jetë edhe qëndrim kundër atdheut e kombit.
Për të mos ecur larg në histori, mund të rreshtojmë disa fakte që na bëjnë karshillëk me nacionalizëm duke qenë veprime kundër atdhetare e kombëtare.
Në vitin 1924 Ahmet Zogu bën një marrëveshje me kryeministrin e Serbisë Nikolla Pashiç ku, ndër të tjera, në përmbajtjen e saj ka të tilla qëndrime “atdhetare”, si: “1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal; 2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë Karagjorgjeviq; 4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare; 14. … Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek etj”. Prej këtej duket se në emër të nacionalizmit firmoset pushtimi i atdheut dhe zbehet qenia kombëtare thjeshtë për interesa personale. Ndërkohë ky “nacionalist” i jep të drejtën vetes në emër të nacionalizmit të vrasë Bajram Currin, Avni Rustemin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën etj., se sipas tij megjithëse ata vepronin e luftonin për komb e atdhe nuk dinin t’i shërbenin atdheut e kombit si dinte të ishte nacionalist Ahmet Zogu, i cili kur iu rrezikuan interesat iku nga sytë këmbët vetëm me familjen e tij në prill të vitit 1939.
Po kështu, kjo lojë vazhdon edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ku nacionalistë quhen të gjithë ata që bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë dhe luftëtarët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare etiketohen komunistë dhe megjithëse luftonin nëpër frontet e luftës me pushtuesin, bëheshin të gjitha përpjekjet nga nacionalistët se këta nuk ishin shqiptarë, por ishin të huaj që luftonin ta prishnin Shqipërinë që ishte mirë si e pushtuar. Dhe kjo vetëm pse në udhëheqje politike të kësaj ushtrie që luftonte pushtuesin ishte Partia Komuniste Shqiptare. A thua se ua ndaloj rrugën dikush të tjerëve të ngriheshin dhe të krijonin kapacitete luftarake më të mëdha se sa krijoj Ushtria Antifashiste Nacional Çlirimtare. Dhe për çudi edhe sot vazhdon të punohet me ngulm për të quajtur të gabuar e të pa pranueshme Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Edhe dëshmorët e rënë në luftë etiketohen kriminelë, edhe luftëtarët e njohur për trimërinë dhe atdhetarizmin e tyre, etiketohen si kriminelë. Kurse të gjithë ata që kanë hyrë si diversantë në Shqipëri, që kanë vrarë gra e fëmijë, që kanë djegur edhe çerdhet e fëmijëve e shkollat, që kanë shkatërruar pasurinë e Shqipërisë në mënyra nga më të papranueshme e kriminalet, konsiderohen nacionalistë dhe që sipas këtij mendimi duhen nderuar se kanë luftuar kundër komunizmit, a thua se këta komunistët nuk ishin shqiptarë por trajtohen sikur ishin të huaj. A thua se këta komunistët nuk kanë jetuar e nuk jetojnë edhe sot në Shqipëri.
Ky fenomen ka ndodhur edhe në trevat e Kosovës e tokave të tjera shqiptare nën Jugosllavi. Edhe sot ata mbi 50 mijë luftëtarë të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare të Kosovës e tokave të tjera shqiptare nën Jugosllavi, quhen si të mos kishin ekzistuar. Çka është e turpshme për historinë, pasi pa atë luftë sot nuk do të kishte shqiptarë në Kosovë, aq sa kanë mbetur në Çamëri, ku nuk u luftua kundër fashizmit. Është gjetur një mekanizëm që u bashkëpunua me fashizmin sepse nuk donim të kthehej Serbia. Por nuk merret në Konsideratë fakti se vendimet ishin që popujt bashkëpunëtor të fashizmit do të pastroheshin etnikisht në interes të popujve antifashistë.
Dhe sot shumëkush vazhdon në Kosovë me mendimin se po të mos ishte krijuar ushtria antifashiste në Kosovë, ajo mund të ishte çliruar nga Jugosllavia e Serbia, e cila pastroj mbi 500 mijë gjermanë nga Vojvodina si bashkëpunëtorë të nazizmit e jo do të linte 550 mijë shqiptarë në Jugosllavi edhe pse ishin në tokat e tyre. Sa të lehta janë fjalët për t’i thënë e sa të vështira punët për t’i bërë.
Prandaj do të ishte mirë, që të mos bëjmë lojë fjalësh me termat nacionalizëm e nacionalistë. Ne e dimë se nacionalizmi ka si mision që ta bëjë kombin të vetëqeveriset dhe të jetë i lirë e i pavarur, por kjo nuk arrihet duke deklaruar e duke shtrembëruar historinë.
Ka disa që deklarojnë se nuk janë nacionalistë radikal dhe se nuk kanë e nuk manifestojnë urrejtje racore. Po a ka nacionalistë më radikalë e më racist se ata që mohojnë veprat kombëtare të bashkëkombësve të tyre, vetëm për të marrë vlera për vete pa bërë asgjë? A ka nacionalistë më radikalë se ata që përpiqen të rrëzojnë edhe mitet kombëtare, vetëm që të jenë ata në krye të piramidës kombëtare pa u lodhur për asgjë, përveç për interesat e tyre? A ka nacionalistë më radikalë se ata që janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me armikun, vetëm që në përfundim të jenë ata që të sundojnë kombin e tyre qoftë edhe nën pushtetin e pushtuesit a të armikut që e ka sjellë në atë gjendje?
Nacionalistët duhen nderuar. Por cilët janë ata? Të tillë përgjithësisht po e konsiderojnë veten ata që duken nëpër sallone kancelarish, jo ata që bëjnë sakrifica për atdheun. Në krijimin e shtetit shqiptar më 1912 përmenden shumë figura, por ai që ishte komandanti suprem i kryengritjes së përgjithshme për pavarësi nuk përmendet askund. A mund të jetë i plotë akti i krijimit të shtetit shqiptar pa figurën e Hasan Prishtinës? Po pse ky luftëtar i madh nuk përmendet fare kur vjen puna te akti i krijimit të shtetit shqiptar? Kujt i bën hije? Pse duhet shmangur? Këto janë veprime që nuk na bëjnë nder. Mund të ketë në atë aktin e krijimit të shtetit shqiptar shumë prej atyre që kanë vlera si nacionalistë ashtu sikurse mund të ketë që nuk kanë asnjë vlerë e nuk kanë luajtur as dorën, as gishtin e as këmbën e gojën për çështjen kombëtare. Por kjo nuk ka rëndësi. Ama që mungon Hasan Prishtina, ka shumë rëndësi dhe duhet të tërheqë vëmendjen për të kthyer vështrimin drejt këtij akti të rëndë që është cenues i rëndë i vlerave të nacionalistëve të vërtetë. Ashtu mund të thuhet edhe për figura të tjera madhore të kohës, si Idriz Seferi, Bajram Curri etj.
Është e nevojshme të ndikohet në kulturën kolektive dhe në kujtesën kombëtare, për të shpërfaqur vlerat, për të cilat kombi ka nevojë, por edhe që i kanë bërë shërbimin e duhur në çastet e tij të vështira.
Lexoj nëpër shkrime të ndryshme, edhe të studiuesve, etiketime të tilla si: nacionalistët dhe komunistët, nacionalistët dhe antikomunistët, duke i vënë këto etiketime sipas interesit të shkruesit të radhës a të quajturit studiues të çështjes që i qaset. Duket njëlloj sikur thuhet shqiptarët dhe serbët, çlirimtarët dhe pushtuesit, luftëtarët e lirisë dhe armiku. A konsiderohet normale logjikisht kjo qasje? Mendoj se jo. Është thjeshtë lojë fjalësh me etiketime për t’i dhënë vlera atij që nuk ka.
Unë kam lexuar dhe jam i bindur se nacionalizmi si parim politik e sheh kombin jo thjesht si emër për një grup të caktuar popullate, por si një entitet politik sovran. Dhe brenda tij ka njerëz me pikëpamje, qëndrime dhe programe e ideologji të ndryshme. Ama të gjithë i përkasin kombit dhe në shërbim të çështjes nacionale janë njëlloj si me obligime ashtu edhe me të drejta.
Ndërsa sot e quan veten më shumë se të tjerët atdhetar ai që deklaron se: “Me këqyr historinë, nacionalizmi dhe patriotizmi nuk ka pru kurrë të mira, sidomos Kosovës”. Pse duhet të bjerë mendimi deri në këtë nivel kur flitet për këto çështja kaq të rëndësishme? Duket qartë, se kjo vjen si rrjedhojë se ai apo ata që kanë mendime të tilla e bëjnë deklarime të tilla, as që kanë idenë se çfarë është veprimi nacionalist. Kjo për arsyen e thjeshtë, se ai ose ata janë mësuar të quajnë nacionalistë pikërisht ata që nuk kanë bërë asgjë për këtë komb.
Populli shqiptar ka një fjalë të urtë që thotë: “Të mençur pas kuvendit e trima pas luftës ka mjaft”. E që ka të tillë unë e kam kuptuar, parë e përjetuar. Por që të lejohen ta bëjnë institucion mençurinë pas kuvendit e trimërinë pas luftës, këtë nuk po arrij ta kuptoj si mund të ndodhë e pse duhet të ndodhë, sepse çdo hap në rrugën kombëtare ka dëshmitarë, e të tillë është me vlerë të thonë ndal kur duhet thënë. Por jo, duket sikur dëshmitarëve të vlerave kombëtare dikush ua zë bishtin me derë si i thonë dhe ata nuk guxojnë të thonë çka është e vërtetë e çka është e pa vërtetë. E kjo shpie në atë që shumëkush mendon se të jesh nacionalist do të thotë ta mbushësh veten me një ndjenjë superioriteti ndaj të tjerëve. Dhe ky mendim vjen për arsye se pikërisht ata që nuk kanë bërë asnjë hap në rrugën e nacionalizmit, por e shpallin veten si të tillë, ia veshin vetes atë ndjenjën e superioriteti, se po të shikosh nacionalistët e vërtetë, ata as që ndihen e as që i veshin vetes atribute. Ata thjeshtë konsiderojnë se kanë kryer një obligim për kombin dhe kaq.
Prandaj edhe është kthyer nacionalizmi në një fushë ku përgjithësisht ndeshen të pandershmit. Ku interpretimet, keqpërdorimet, spekulimet dhe përplasjet nuk ndalen. Dhe të gjitha këto vetëm për t’i shërbyer një politike të caktuar e përgjithësisht politikës së të fortit, pa përjashtuar rastet kur i shërbehet politikës së familjes apo të klanit të cilit i përket. Prandaj edhe po t’i vësh re politikanët, sa herë ndodhen në vështirësi për të humbur pushtetin apo për të rënë nga fuqia e tyre, do të gjejnë mënyrën të thirren në nacionalizmin, sepse e kanë të qartë se shqiptarët e thjeshtë e duan atdheun dhe kombin e tyre sa gjakun e trupit të tyre. E duke qenë të qartë për këtë, thirren në nacionalizmin që të duken sa më atdhetar të qëndrueshëm vetëm për të mashtruar në çastet e dobësisë së tyre. Shembuj të tillë kemi plot. Edhe kur furnizohet me naftë Serbia në kohën e embargos mbarëbotërore për të, flitet në emër të nacionalizmit, edhe kur i jepen Greqisë 400 km2 det, deklarohet se veprohet në emër të nacionalizmit, edhe kur u hiqen ushtarëve fishekët nga armët që të vijnë grekët t’i vrasin nëpër repartet e tyre deklarohet nacionalizëm. Edhe kur pihet alkool me Millosheviqin në Beograd e edhe kur gëzohesh se u shfarosën Jasharët e lavdishëm përsëri në emër të nacionalizmit flitet. Është bërë ky termi nacionalizëm e nacionalistë në gojën e tyre, si rrobe e pa larë.
Unë e nderoj nacionalizmin e natyrshëm, i nderoj nacionalistët e provuar në betejat kombëtare me pendë dhe me pushkë. Por nuk mundem t’i nderoj nacionalistët e salloneve, të kafeve e të deklaratave pranë kolltukëve të sundimit të atdheun, duke u tërhequr zvarrë e duke deklaruar se janë atdhetar fluturues.
I dua nacionalistët që luftojnë me shpirt për ta parë atdheun e kombin në nivelet e kombeve të zhvilluara e të qytetëruara. I dua nacionalistët që janë atdhetarë dhe që bëjnë sakrifica për çështjen e atdheut, pa cenuar interesat e atdheut të të tjerëve. E të tillë kemi mjaft në trojet shqiptare e ndër shqiptarët, që gjithçka e bëjnë në emër të atdhetarizmit e të kombëtarizimit.
Ndërsa, kur shpallen nacionalistë ata që konsiderojnë veprim atdhetar vetëm veprimin e tyre, ata që konsiderojnë armiq të atdheut të gjithë ata shqiptarë që nuk mendojnë si ata ose që nuk janë në turmën që duartroket ata, ata që e identifikojnë atdheun me veten, identifikojnë shtetin me veten, identifikojnë kombin me veten dhe identifikojnë popullin me veten, më duket se duhet të ndalemi e të mos bëjmë se nuk shikojmë e nuk dëgjojmë. Duhet të ndalmi e të themi ndal për të tillët, se na konsiderojnë edhe të pa aftë e edhe budallenj nëse i lëmë të vijojnë me tej me mendësinë e tyre dhe për interesat e tyre. Të tillët po të lejohen më tej nuk shpallen thjeshtë nacionalistë, por dalin edhe mbi ligjin. Shikoni se ka të tillë, që i thonë edhe ligjit nuk je përpiluar për ne por për të tjerët.
Për mua nacionalizmi është ideja e rritjes së fuqisë së kombit. Që arrihet duke u bërë njësh me të. E pikërisht ai që bëhet njësh me kombin e tij, mund të quhet nacionalist. Ndërsa ai që del mbi kombin e tij, duhet hedhur tej. Por kjo bëhet kur kombi është i shkolluar. E kombin e shkollon pikërisht ai që është nacionalist. Ai që e di se fuqia e kombit mbështetet në mendjet e ditura. Ai që e di se të diturit nuk mund të skllavërohen.
Le ta shohin veten në pasqyrën e ndërgjegjes së tyre të gjithë ata që nacionalizmin duke ia veshur vetes e kanë bërë rrobë të pa larë.
Mund të ketë dikush mendimin pse unë në këtë shkrim nuk i them edhe me emra disa prej atyre që e shpallin veten nacionalistë, megjithëse nuk janë të tillë e nuk kanë bërë asgjë për të qenë të tillë, pa folur për ata që duke u deklaruar nacionalistë kanë bërë shumë vepra kundërkombëtare. Mendoj se nuk ka nevojë për emra, pasi të gjithë ata që i përkasin kësaj familjeje, nëse do ta lexojnë shkrimin tim, ju siguroj se me vete do të thonë e paska pasur fjalën për mua. Pasi vërtetë për atë e kam fjalën.
Nacionalistët e vërtetë i dinë detyrat dhe detyrimet e tyre, sepse ndjenjën atdhetare e kombëtare e kanë të gdhendur në gjakun e tyre, në gjenin e tyre, ata nuk mund të veprojnë ndryshe veçse si të tillë. Sepse e ndjejnë se duhet të bëjnë pikërisht atë që e fuqizon kombin, që e çliron kombin, që e rrit personalitetin e kombit, që e zhvillon kombin, që e zbukuron jetën kombëtare, që e ndriçon jetën kombëtare dhe bën të shihet e ardhmja e sigurt.
Në historinë kombëtare individualitetet historike konsiderohen të gjitha njëlloj të shenjta dhe të respektueshme, pasi historia e kombit është fuqi për të ardhmen. Por gjithnjë duke iu referuar atyre figurave që me të vërtetë kanë bërë vepra nacionaliste të pa kontestueshme, duke mos i lëkundur vlerat dhe karakteristikat e nacionalizimit tradicional, jo agresiv, jo të dhunshëm, jo diktatorial dhe jo intolerant. E dua nacionalizmin që nuk rrëshqet në shovinizëm, por theksoj se gjithnjë drejt shovinizmit ecin ata të quajtur nacionalistë që nacionalizmin e kanë thjeshtë rrobë për ta veshur dhe nuk kanë asgjë tjetër që i lidh me të, as vepër, as traditë, as trashëgimi.
Nacionalistët e vërtetë e konsiderojnë kombin e tyre popull që mund të shkojë te e ardhmja duke e perfeksionuar vë vijimësi vetveten, duke marrë mbi vete detyra dhe virtyte për të kontribuar në zhvillimin e progresit shoqëror të përbotshëm, që të jetë rezistues ndaj ndryshimeve, duke u bërë kështu kontribuues në zhvillimin dhe sigurinë e përbotshme, pa u konsideruar në asnjë çast vetëm konsumues i sigurisë, por edhe investitor i fuqishëm në sigurinë e të sotmes dhe të ardhmes së përbotshme.
Nacionalistët e vërtetë nuk besojnë dhe nuk pranojnë që të tjerët janë të destinuar të sundohen prej kombit të tyre, ashtu sikurse nuk pranojnë që të sundohen për asnjë arsye prej asnjë kombi a populli tjetër. Këto janë urdhërime të përhershme të nacionalizmit shqiptar, që nacionalistët e vërtetë i kanë busull orientuese në gjithë rrjedhën e veprës së tyre kombëtare.
Nacionalistët e vërtetë shqiptarë gjithnjë kanë qenë realist dhe dinamikë. Prandaj edhe kombi ynë ka arritur të mbijetojë me gjithë traumat që ka pasur nëpër shekuj, të cilat kombe edhe më të mëdhenj se kombi ynë i kanë zhdukur nga historia e nga planeti tokë. Ky fakt na lejon të dalim në përfundimin e nacionalistët shqiptarë kanë qenë të suksesshëm në veprën e tyre. Por tërheq vëmendjen fakti se nacionalistët e vërtetë kanë pasur fuqinë për ta bërë drejtësinë me fjalë, me politikë dhe me armë. Ama sa ka përfunduar procesi i bërjes, kur ka filluar administrimi i arritjes, kanë dalë në sipërfaqe nacionalistët mashtrues, të cilët të ndodhur pranë kolltukut të qeverisjes dhe të pushueshëm, kanë marrë në dorë frenat e pushtetit dhe kanë administruar si kanë dashtë vetë, jo sipas objektivave të nacionalistëve të vërtetë të cilët e bënë veprën kombëtare. Dhe ajo që është më e keqja, këta nacionalistët mashtrues, të cilët në kushtet e lirisë kanë qasje edhe në media e edhe në kapacitete të burimeve financiare, fillojnë e etiketojnë nacionalistët e vërtetë, i përfolin, i akuzojnë, i emërtojnë me emërtime përçmuese, i akuzojnë për vepra kriminale, i përçajnë, i quajnë se kanë pasur synime kundërkombëtare etj. A nuk ka ndodhur kështu në Kosovë? A nuk po ndodhë edhe sot e kësaj dite e njëjta gjë? A nuk jemi edhe sot përballë të gjitha shëmtive e llumit që prodhojnë gjirizet e ndyra të armiqve, ku pa u tronditur, me shumë kënaqësi e dëshirë po mbështeten edhe ata që prej vitit 1999 kanë marrë pushtet në Kosovë e po vijojnë edhe sot të venë etiketime mbi luftëtarët e lirisë që me gjak e sakrifica na sollën lirinë dhe na krijuan shtetin? Shikoni kush po e bën këtë prej vitit 1999 e deri sot. Pikërisht të vetëshpallurit nacionalistë pa hedhur asnjë hap në bërjen e Kosovës të lirë dhe shtet të pavarur e sovran.
Ata që e deshën dhe e duan Kosovën dhe kombin shqiptar më shumë se gjithkush tjetër, e kanë treguar me luftën e tyre dhe me sakrificat e gjakun e tyre se mbi atdheun dhe lirinë e tij nuk venë asgjë, as jetën e tyre. Ata e bënë luftën. Por duke fituar lirinë për atdheun humbën lirinë e tyre. Sot të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të kërcënuar nga klani pengmarrës që duhet gjykata Speciale për krimet e luftës së UÇK-së, vetëm sepse dikush nuk duhet të marrë vlera, pasi pa mohuar vlerat e luftëtarëve të UÇK-së askush nuk mund të ketë vlera të shtuara që të tjerët ta nderojnë. Prandaj duhet bërë kështu.
Ka ndodhur në vitet ’70 në Tiranë që një shkencëtarë ushtarak i nivelit të lartë i cili të gjitha tekstet mësimore të akademisë ushtarake i kishte punuar vetë dhe mbanin emrin e tij, u akuzua nga të tjerë se tekstet i kishte punuar duke shfrytëzuar literaturë borgjezo – revizioniste, prandaj duhej hequr nga detyra dhe duhej burgosur e tekstet duheshin djegur. Dhe ashtu ndodhi. Shkencëtari përfundoj në burg se bashkëkolegët e akuzuan, tekstet e tij u dogjën dhe bashkëkolegët i ribotuan ato tekste por tani me emrin e tyre dhe ”pa shfrytëzimin e literaturës borgjezo – revizioniste”. A kështu do të vijojmë gjithnjë? A kështu fitohen vlera? A kështu mendohet se duhet të lejohet të na sundojnë pseudonacionalistët? Mirë është që të ndalen nga kjo mësymje të ashtuquajturit nacionalistë sepse po e dëmtojnë çështjen kombëtare për interes të tyre e besoj se do të vijë një ditë që do t’u kërkohet llogari, sepse në këtë botë gjithnjë haku ka shkuar te i zoti e kjo rrjedhë nuk ka për të ndryshuar për hatër të askujt.
Mendoj se ka ardhur koha kur nacionalizmi të mos mund të përdoret më si strehë e atyre që nuk duan të bëjnë sakrifica, e atyre që nuk i vlerësojnë detyrimet kombëtare, e atyre që nuk kanë nderim për atdheun e kombin, e atyre që kanë urrejtje, e atyre që kanë smirë, e atyre që mbivlerësojnë veten, e atyre që venë interesat e tyre mbi interesat e kombit, e atyre që nuk kanë dashuri për t’u dhënë të tjerëve, e atyre që janë të mbushur me urrejtje, e atyre që nuk duan të vetëzhvillohen e të zhvillojnë edhe të tjerët, e atyre që nuk e duan punën, e atyre që nuk duan të ndërtojnë të ardhme të sigurt për atdheun e kombin por shkojnë me mendimin: pas meje le të bëhet kiameti.
Ashtu sikurse kërkoj që kush thirret në emër të qenies nacionalistë duhet të deklarojë se nuk do të bëjë asnjë lëshim në dëm të interesave të atdheut e kombit për hatër të askujt e me diktatin e askujt. Ai që mendon se lirinë na e kanë sjellë të tjerët, se na mbrojnë të tjerët, se për ne punojnë të tjerët, se ne duhet të jemi të përulur para të tjerëve, se ne duhet t’i mbajmë armët ulur ose të mos kemi armë fare se na kanë kujdes të tjerët, nuk kanë të drejtë të thirren në nacionalizëm dhe ta quajnë veten nacionalistë. Për këtë duhet drejtuar nacionalistëve të vërtetë, sepse pa të tillët nuk mund të ketë të ardhme të kombit e as liri të atdheut. Të cilët megjithëse një pjesë të tyre na i kanë marrë peng në Hagë vetëm për të na dobësuar, as që bëhet fjalë se mund të na bëjnë të lëkundemi në qëndrimet tona për të ardhmen kombëtare shqiptare.
Këtë e tregoi edhe ajo lufta e vogël që ndodhi më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës. Ajo luftë, që megjithëse e vogël, tregoi gjithë madhështinë kombëtare të kohës, është treguesi se luftëtarët janë aty, të gatshëm për ta bërë luftën e tyre për atdheun e kombin. Ja pra, ata luftëtarë të atij fronti dhe komandanti që e udhëhoqi atë operacion janë atdhetarët, janë nacionalistët e vërtetë. Kush të jetë si ata është vërtet nacionalist dhe kombi duhet t’i besojë.
Megjithëse unë e di se shqiptarët, sa herë të shfaqen probleme në Ballkan i konsiderojnë fajtorë dhe se ata kanë shfaqur nacionalizëm. A thua se janë shqiptarët fajtorë, që territoret e tyre i kanë të copëtuara në gjashtë shtete. A thua se janë shqiptarët fajtorë pse nuk mund të qëndrojnë më në pozicionin e skllavit në kohën e Evropës moderne. Prandaj nëse duan të rrinë urtë shqiptarët le t’i lënë në të drejtën e tyre kombëtare dhe qytetare. Shqiptarët nuk mund të vdesin që të kënaqen serbët e grekët. Jo, shqiptarët do të jetojnë dhe do të sundojnë përjetësisht në tokat e tyre, edhe në ato që akoma nuk i kanë çliruar.