Nacionalistët evropianë formojnë aleancë për zgjedhjet në PE
Partitë nacionaliste në Evropë shpallën një aleancë, me qëllim të, siç thanë, ndryshimit të balancës së pushtetit në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, nga partia Liga e krahut të djathtë, e bëri publik lajmin në një konferencë për gazetarë në Millano.
“Lajmi është se ne po e zgjerojmë komunitetin tonë, familjen tonë. Po punojmë për një ëndërr të re evropiane. Sot, për shumë njerëz, Bashkimi Evropian është një makth dhe jo një ëndërr. Ne po punojmë për të hapur vende të reja pune, për sigurinë, për mbrojtjen e mjedisit dhe për të ardhmen e të rinjve”, tha mes tjerash Salvini.
Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësues të partive tjera nacionaliste: Alternativa për Gjermaninë, Partia e Finlandës dhe Partia Popullore e Danimarkës.
Të gjitha këto po bëjnë fushatë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që do të mbahen nga data 23 deri më 26 maj.
Duke konkurruar në vende të ndryshme, ato planifikojnë të formojnë një grup parlamentar, i quajtur Aleanca Evropiane për Popullin dhe Kombet, për të sfiduar, siç thanë, fuqinë e partive të qendrës.
“Ne duam të reformojmë Bashkimin Evropian dhe Parlamentin Evropian, pa i shkatërruar ata. Ne duam të sjellim ndryshime rrënjësore”, tha kreu i Alternativës për Gjermaninë, Jorg Meuthen.
Ai shtoi se në grupin e ri parlamentar do të marrin pjesë së paku dhjetë parti.
Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, një grup duhet të përbëhet nga së paku 25 deputetë që vijnë nga së paku shtatë vende të BE-së. (REL)