Nacionalisti serb i reagon Kurtit

26 shtator 2021 | 08:43

Aktivisti politik dhe nacionalisti serb nga Mali i Zi, Vladislav Dajkoviç, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi shefi i qeverisë e denoncoi atë si “ekstremist pro-rus që mori pjesë në bllokadat e rrugëve në Jarinjë dhe Bërnjak”.

Dajkoviç ka thënë se ka zbuluar se i është ndaluar hyrja në Kosovë, teksa ka komentuar denoncimin e tij nga kryeministri Kurti.

“Sapo zbulova se autoritetet e ‘Kosovës’ më ndaluan hyrjen në Kosovë dhe Metohi me urdhër të Kryeministrit, Albin Kurti”, tha ai në një shkrim në Facebook.

Ai ka thënë se nuk është mercenar rus.

“Kurti, në deklaratën e tij, më quajti ekstremist dhe njeri me pikëpamje ‘pro-serbe’ i cili erdhi për të bërë trazira në Kosovë”, shkroi Dajkoviç. “Zotëri Kurti, unë nuk kam qëndrime ‘pro serbe’. Unë kam lindur serb dhe do të vdes serb. Nuk jam ekstremist, dhe veçanërisht jo mercenar rus.”

Sipas Dajkoviçit, Qeveria e Kosovës ka shkelur të drejtat e banorëve serbë në Kosovë me vendimin për aprovimin e reciprocitetit për targat.

“Unë jam një i ri i zakonshëm serb nga Mali i Zi, i cili shkoi në Kosovë dhe Metohi për t’ua shtrënguar duart përqafuar vëllezërve të tyre serbë që luftojnë për të drejtat e njeriut në vatrën e tyre”, ka thënë nacionalisti serb.

“Nëse doni të më ndaloni të jem ky që jam, është problem i juaj. Por dije që nuk më frikësuat. Dhe jo, nuk kam ardhur për të bërë probleme sepse ju i keni krijuar ato shumë kohë më parë”, ka deklaruar ai.

Vladislav Dajkoviç është një njëri nga dy personat e denoncuar sot nga kryeministri Albin Kurti si person me veprimtari kriminale që i është bashkuar protestuesve që kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikë-kalimeve në Bërnjak dhe Jarinje.

Sipas të dhënave publike, Dajkoviç është një aktivist politik i lindur në Çetinje të Malit të Zi me bindje të ekstremit të djathtë dhe me lidhje të afërta me ultra-nacionalistë serbë. Ai njihet si një nga kundërshtuesit më të rreptë të Milo Gjukanoviqit, presidentit të Malit të Zi me prirje politike nga perëndimi.

Dajkoviç ka marrëdhënie të mira me botën serbe. Ai është i afërt me politikanin ultra-nacionalist serb, Misha Vaciç dhe me kryetarin e Banja Llukës, një politikan të Republikës Srpska në Bosnjë, Drashko Stanivukoviç, me të cilët mori pjesë në një tubim antiqeveritar në Nikshiq të Malit të Zi më 28 gusht 2020.

Po ashtu, Dajkoviç është i afërt me propaganduesin serb dhe regjisorin e afërt me regjimin e Aleksandar Vuçiqit në Beograd, Boris Malagurski.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është dita e shtatë që prej se ka hyrë…