Nadal: Nuk e di nëse do të luaj më këtë vit
Viti 2022 ka qenë mjaft delikat, por edhe mjaft pozitiv për tenistin spanjoll Rafael Nadal, që nga dita e hënë do të jetë numri dy në botë. Ai triumfoi në Australian Open dhe Roland Garros, por shpesh dëmtimet e kanë penguar të ketë një sezon edhe më të mirë.
Së fundi, për shkak të disa problemeve personale, ai u tërhoq nga turneu i Laver Cup, të nesërmen e sfidës me Roger Federer, ku luajtën së bashku në lojën dyshe. 36-vjeçari spanjoll pret të bëhet së shpejti baba për herë të parë në jetën e tij. E ardhmja e tij është ende në dilemë, nëse do të luajë me këtë sezon apo jo. Ai synon të jetë në turneun Masters të Paris dhe në finalet e ATP (Torino).
“Këtë sezon kam menduar disa herë tërheqjen. Madje mendoja se Roland Garros do të ishte sfida e fundit këtë vit”, ka thënë Nadal. “Këtë vit kam pasur mjaft probleme fizike. Këmba më ka penguar shumë, sidomos në pjesën e parë të sezonit, më pas pata një tërheqje në Wimbledon dhe sërish në Nju-Jork. Para se të rikthehem kam nevojë të jem i qetë edhe psikologjikisht përveç anës fizike”, ka deklaruar Nadal.