Nadali: Doja të vazhdoja, por trupi im nuk ma lejon që të luaj më

21 nëntor 2024 | 13:19

Dita e mërkurë ishte shumë emocionuese për Rafael Nadal, që mbylli zyrtarisht karrierën e tij. Ai u përlot disa herë, fillimisht gjatë himnit të kombëtares spanjolle, përpara se të dilte në fushë dhe më pas gjatë fjalimit të lamtumirës. Fjalët që emocionuan edhe vetë Nadali si dhe të gjithë ata që e dëgjuan atë.

“Jam i privilegjuar që kam marrë dashurinë e gjithë botës, por veçanërisht të spanjollëve. Nuk shkoi siç shpresoja, por dhashë gjithçka që kisha. Kjo është e imja”, ka thënë Nadal.

“Kjo është dita ime e fundit si një tenist profesionist. Nuk është kurrë e lehtë të ndalosh, unë ende e dua tenisin deri në vdekje, por nuk mund të jem më konkurrues”, ka shtuar kampioni nga Majorka. “Trupi im nuk më lejon më luaj më. Unë përqafoj familjen time dhe të gjithë miqtë e mi. Gjatë njëzet viteve të mia si profesionist jam përpjekur të ndërroj sa më pak staf dhe gjithmonë kam pasur pranë vetes njerëzit që kam dashur”, ka shtuar spanjolli.

“Nuk e mendoja se mund të kisha një karrierë kaq të suksesshme. Familja ime më mësoi edukimin dhe më ndihmoi të mbaja gjithmonë këmbët në tokë. Sigurisht që do të më kujtojnë për turnetë që kam fituar, por më intereson më shumë që të kujtohem si një person i mirë”, ka përfunduar Nadal.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumica e partive politike të serbëve në Kosovë po përgatiten…