Nadali: Ja pengu më i madh i karrierës sime
Karriera e Rafael Nadalit është e mbushur me shumë fitore, por jo gjithnjë gjërat kanë shkuar “vaj” për tenistin spanjoll.
Numri 2 për momentin në botë në një intervistë për “Mundo Deportivo” ka rrëfyer për pengjet që ai ka në karrierë.
“Unë jam një nga ata që them se nuk do të do të ndryshoja asgjë nga e kaluara ime, por në të vërtetë diçka do të përmirësoja”, ka thënë spanjolli. “Në mjaft situata do të kisha marr vendime ndryshe, por ndonjëherë je i detyruar të marrësh vendime pa u menduar shumë, duke marrë përsipër edhe riskun, sidomos në nivelin fizik. Çfarë do të ndryshoja? Kur bëra disa infiltrime në gju në vitin 2012, gjatë Wimbledonit. Në atë turne humba ndaj Rosolit dhe u detyrova të qëndroja pushim deri në 2013-n. Edhe në vitin 2016 bëra të njëjtin gjë në pulsin e dorës dhe e pagova sërish shtrenjtë”, ka deklaruar Nadal.
“E qartë që do të merrja një vendim ndryshe, por e ndieja se po luaja mirë, në gjendje për ta fituar Roland Garros, ndaj dhe mora atë vendim”, rrëfehet Rafael Nadal. “Megjithatë, jam i kënaqur me vendimet që kam marrë, përndryshe nuk do të kisha arritur deri këtu. Ndonjëherë luaj përtej limiteve të mia fizike, rrezikoj shumë dhe me siguri do ta vuaj këtë gjë në të ardhmen. Ky është një sport i vështirë dhe luajmë në sipërfaqe agresive”, u shpreh tenisti spanjoll.