Nadali shuan ëndrrën e Tsitsipas, Osaka-Kvitova finalja e femrave
Mrekullia me emrin Stefanos Tsitsipas përfundon në gjysmëfinale. Rafael Nadal është finalisti i parë i “Australian Open”.
Tenisti spanjoll mundi në gjysmëfinale grekun Stefanos Tsitsipas me rezultatin 3-0, me sete 6-2, 6-4 dhe 6-0, ndeshja zgjati një orë e 46 minuta. Tsitsipas konsiderohet si e ardhmja e tenisit, pasi është 20-vjeçar dhe është cilësuar si një tenist mjaft i talentuar dhe që pritet të ngjisë majat në vitet e ardhshme ndërsa në “Australian Open” nxori jashtë nga turneu zviceranin Roger Federer.
Gjithsesi talenti i tij nuk u konsiderua nga Nadal, i cili ia bëri më të thjeshtë vetes kalimin në finale. Kjo është hera e 25-të që spanjolli shkon në një finale Grand Slam, për më tepër që këtë herë u kualifikua pa humbur asnjë set. Finalja do të zhvillohet të dielën, më datë 27 dhe Nadali pret të mësojë kundërshtarin mes rivalëve Djokoviq dhe Pouille që do të ndeshen nesër në 9:30 në gjysmëfinale.
Te femrat është përcaktuar çifti finalist. Të shtunën do të përballen mes tyre për trofeun e “Australian Open” numri 4 i botës dhe fituesja e grand slamit të fundit të vitit të kaluar, japonezja Naomi Osaka dhe tenistja nga Republika Çeke Petra Kvitova e cila renditet e 6-ta në botë. Osaka në gjysmëfinale mposhti 2-1 me sete çeken tjetër Karolina Pliskova ndërkohë që Kvitova mposhti pastër 2-0 me sete amerikanen Collins. /SS/