Nadali, shumë i fortë për Federerin
“Dueli i superheronjve”. Këto fjalë kishte zgjedhur spanjollja “AS” për ta përshkruar gjysmëfinalen e “Roland Garros” midis Rafael Nadalit dhe Roger Federerit.
Një ndeshje e bukur u zhvillua, por në fund triumfoi spanjolli i cili është fantastik në fushat me dhe. Nadal i fitoi të tre setet me rezultatet 6-3, 6-4, 6-2 dhe tani do të përballet në finalen e madhe kundër Novak Xhokoviqit ose austriakut Dominik Thiem (për momentin kryeson 1-0 me sete).
11 herë ka arritur të fitojë spanjolli Roland Garros, ndërsa 37-vjeçari zviceran, i cili u largua mes duartrokitjeve të publikut, nuk merrte pjesë që nga viti 2015 në turneun francez. Me këtë fitore Nadali e përmirësoi rekordin e tij kundër Federerit, me 24 fitore dhe 15 humbje. Nesër në orën 15:00 zhvillohet finalja e madhe dhe Nadali do ta kërkojë triumfin e 12 në kompeticionin e tij të preferuar.