Nadali synon të rikthehet në turneun e Romës
Rafael Nadal synon të luajë në turneun Masters të Romës pas rikuperimit të dëmtimit që pësoi 10 ditë më parë në Indian Wells. Tenisti spanjoll, numri 3 në botë, hoqi dorë nga turnetë e Barcelonës dhe Montekarlos, pasi mjekët e këshilluan një muaj pushim.
“Dalëngadalë dëmtimi po përqendrohet vetëm në një vend dhe jo në gjithë gjoksin. Po kryej disa ushtrime që nuk më japin dhimbje, në mënyrë që të ruaj sa më shumë formën fizike. Në këtë mënyrë, kur të nis stërvitjen me top të jem sa më në formë”, ka thënë Nadal.
“Nuk shqetësohem, pasi do të marr kohën e nevojshme për të rikuperuar. Nuk rikthehem pa qenë në 100% të formës, për të evituar që problem të përsëritet. Mendoj se do të jem gati për në Romë, që do të jetë një test para Roland Garros”, u shpreh Nadali.
Tenisti spanjoll synon triumfin numër 14 në grand slam-in parisien, turneu i tij i preferuar.
Këtë vit, Nadal ka humbur vetëm një ndeshje dhe fituar 20 prej tyre, duke qenë në formë. Gjithsesi, dëmtimi prishi disi planet e Nadal, që synonte disa fitore në turnetë e fushave me dhe.