Nadali triumfon për herë të 11-të në turneun e Montekarlos
Monte Carlo, 22 prill – Rafael Nadal fitoi turneun Masters të Montekarlos, duke mundur 2-0 në finale japonezin Kei Nishikori (6-3, 6-2 rezultati i dy seteve). Për tenistin spanjoll, numri 1 në botë, ky është triumfi i 11-të në këtë turne, një rekord absolut, duke mbrojtur titullin e fituar vjet.
Një paraqitje e shkëlqyer e Nadalit, që konfirmoi edhe një herë se në këtë sipërfaqe është i pathyeshëm. Finalja ishte një dominim absolut i Nadalit, që pati epërsi në fushë në të dyja setet, duke u shkëputur që në pikët e para dhe thelluar diferencën. Nishikori, që rikthehej në fushë pas një pushimi të gjatë për shkak të dëmtimit, bëri maksimumin e mundshëm, por ndaj Nadalit e pati të pamundur të rivalizojë dhe u dorëzua pa kushte. Për Nadalin ky është trofeu i 31-të në turnetë Masters, një rekord.