Nafta i rikthehet humbjeve
Nafta po qëndron në rënie gjatë sesionit të sotëm, pasi investitorët janë të shqetësuar nëse samiti i G20-ës, që zhvillohet këtë fundjavë në Japoni do të sjellë një marrëveshje mbi tregtinë.
Edhe ngadalësimi i kërkesës po ushtron presion mbi çmimet. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje tregtare me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, është e mundur, por paralajmëroi se është i përgatitur për të vendosur tarifa të tjera ndaj produkteve kineze të importit, nëse dy vendet nuk bien dakord. Analistët shprehen se një dëhstim në bisedime do të ketë një impakt negativ në tregjet financiare dhe në tregun e naftës.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 59 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, dy bençmarkët kryesorë u rritën me rreth 2%, pasi të dhënat zyrtare në SHBA treguan se rezervat e naftës gjatë javës së kaluar ranë ndjeshëm, me 12.8 milionë fuçi, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 2.5 milionë fuçi, shkruan “scantv”. Megjithatë, furnizimi vijon të jetë i mjaftueshëm në konsumatorin më të madh të naftës në botë. Gjithashtu, investitorët janë në pritje të takimit të OPEC dhe Rusisë që mblidhen në Vienë në datën 1 dhe 2 korrik, për të përcaktuar politikat e prodhimit për gjysmën e dytë të vitit. Aleanca, që ndryshe njihet si OPEC+, pritet të vendosë një shtyrje të marrëveshjes për uljen e prodhimit deri në fund të këtij viti.