Naftëtarët e kundërshtojnë vendimin e AKK-së, paralajmërojnë padi
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës (ShNK), Fadil Berjani dhe përfaqësues nga kompanitë që janë pjesë e kësaj shoqate kanë mbajtur konferencë për medie kundër vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) për shqiptimin e masave ndëshkuese administrative ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës.
Me këtë rast, Fadil Berjani, ka thënë se vendimi i AKK-së ka qenë arbitrar dhe se kundërshtojnë atë.
“Vendimin e lëshuar javën e kaluar ne Shoqata e Naftëtarëve e kundërshtojmë fuqishëm, duke e cilësuar si vendim arbitrar. Nuk ka pasur marrëveshje për çmim të naftës dhe asnjëherë nuk do të ketë”, ka thënë Berjani.
Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë “Shell-Al Petrol”, Tahir Zogaj, ka kërkuar nga Kuvendi që ta thërras një seancë dhe t’i shkarkojë përfaqësuesit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, pasi AKK-ja ka marrë vendim arbitrar dhe ka bërë shkelje ligjore.
“Shqetësimi është sepse nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për çmime, e as marrëveshje të heshtur. Autoriteti i konkurrencës e ka marrë këtë vendim absurd dhe ka bërë një shkelje të rëndë”, ka thënë Zogaj, raporton “EO”.
Në anën tjetër, avokati i kompanisë “HIB-Petrol”, Arianit Koci, ka thënë se si kompani do ta apelojnë vendimin e AKK-së, pasi sipas tij një vendim i tillë nuk ka bazë juridike.
“Ky dokument ka mungesë të theksuar të provave dhe është i përpiluar në mënyrë të çuditshme, pa asnjë bazë juridike”, ka thënë Koci.