Nagavci: Akti i mbrëmshëm i avokatit Gashi është i gabuar dhe s’mund të justifikohet
Gjesti i ulët i avokatit Tomë Gashi nxiti edhe deputeten e VV-së, nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, të bëjë një shkrim lidhur me të drejtat e njeriut.
Sipas Nagavcit, nuk është aspak njerëzore e as e drejtë të sillesh keq ndaj të varfërve e të dobëtëve, përcjell “Epoka e re”.
“Akti i mbrëmshëm është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet. Dënoj çdo akt e sjellje që cënon apo denigron tjetrin, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt ushtrohet”, shkruan Nagavci.
Postimi i plotë në FACEBOOK:
Nuk është njerëzore e as e drejtë të sillesh me përçmim dhe të ngacmosh me të varfërit dhe më të dobtit. Çdo kush duhet ta dijë, e sidomos ata që merren me drejtësi, se respektimi i plotë i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është i garantuar për secilin dhe duhet të respektohet nga secili. Zhurma e lypsarit s’do të duhej të heshtet, ajo është zhurmë që bënë thirrje për reflektim përtej saj. Republika e Kosovës ka organet, institucionet e entet që do të duhej të merreshin me secili rast dhe atë në mënyrë shumë të ndjeshme dhe asesi një qytetar të vendos vet drejtësi, kushdo qoftë ai. Është obligim i institucioneve për të krijuar kushte e mirëqenje për qytetarët, për t’u siguruar se inspektorati kryen punën e vet, se keqbërësit marrin përgjegjësi sipas ligjit e ata në nevojë mbështeten e përkrahen. Akti i mbrëmshëm është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet. Dënoj çdo akt e sjellje që cënon apo denigron tjetrin, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt ushtrohet. “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi”, Neni 1, Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut./Epoka e re/