Nagavci e bindur që mësimdhënësit do t’i nënshtrohen testimit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është e bindur që mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar, që nënkupton nënshtrimin e testit me shkrim, raporton Ekonomia Online.
Nagavci në eventin përmbyllës të Projektit QATEK, i cili ka për qëllim fillimin e një sistemi për përgatitjen e mësimdhënësve të rinj të orientuar në cilësi, ka thënë se duhet të punohet në përmirësimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“Synojmë që nga qershori i këtij viti do të nisemi edhe për prodhimin për licencë të avancuar për mësimdhënës si pas kritereve që janë përcaktuar mbi bazën e standardeve profesionale dhe jam e bindur që kemi mësimdhënës që janë të gatshëm të aplikojnë për këtë licencë”, u shpreh Nagavci.
Ajo ka pohuar se janë në finalizim të miratim të rregullores për procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të stafit shkollor, e cila standardizon procedurën në sektorin publik dhe në sektorin e edukimit.
“Besoj se do të shmang edhe sfidat dhe vonesat e shumta në rekrutim të stafit të mësimdhënësve që kanë shkaktuar edhe humbjen e orëve mësimore, ndërkaq kemi filluar edhe rishikimin e teksteve mësimore”, ka deklaruar ministrja Nagavci.