Nagavci: I kemi votat për formimin e Qeverisë
Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se seanca konstituive do të mbahet të hënën, me 22 mars.
“Përfunduam punimet e mbledhjes së ditës për përgatitjen e seancës konstituive. U vendos që seanca të mbahet me datën 22 mars të hënën në ora 10:00″.
Nagavci që në legjislaturën e kaluar kishte pozitën e nënkryetares së Kuvendit është pyetur nga gazetarët nëse do të propozohet këtë legjislaturë për kryeparlamentare.
Ajo nuk e ka mohuar këtë, duke thënë se në LVV janë duke shqyrtuar pozicionet.
“Nuk pati ndonjë kundërshtim kurse u diskutuan edhe disa çështje teknike. Në Lëvizje jemi duke shqyrtuar pozicionet, por nuk kemi vendosur kush do të jetë kryeparlamentari. Po e rëndësishme është që ekipi i LVV-së do të jetë profesional”.
“Nuk isha pjesë e takimeve të djeshme po besoj se me 22 konstituohet kuvendi dhe hapet rruga për formimin e institucioneve. Sa i përket çështjes së presidentit qytetarët kanë dhënë mesazhin e duhur dhe të gjitha partitë duhet të respektojnë”.
Ajo është pyetur nëse data 25 mars do të jetë edhe dita kur do të votohet Qeveria e re.
Këtë datë nuk e ka mohuar e as pohuara Nagavci, teksa ka folur për afate kohore, duke shtuar se i kanë votat për formimin e Qeverisë.
“Është çështje organizative çështja e propozimit për takim të zotëri Abdixhikut, por data e takimit varet vetëm nga agjendat e Kurtit e Osmanit. Lëvizja i ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë. Kemi në detyrë një Qeveri që nuk ishte asnjëherë e tillë”./ EO