Nagavci i kundërpërgjigjet PDK-së: Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të statutit të ri të Universitetit të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Ajo ka thënë se ky veprim i PDK-së konfirmon edhe një herë që ndryshimet e mëdha e pozitive që janë bërë së fundi në universitet kanë prishur rehatinë e atyre që dikur kanë kontrolluar vendimmarrjen në UP.
Nagavci ka thënë se justifikimet e këtyre subjekteve si pretekst për mospjesëmarrje në votim të Statutit të UP-së janë mbulim i arsyes së vërtetë që lidhet me kriteret drejt cilësisë të vendosur në këtë statut.
“Si Ministri e Arsimit dhe si Qeveri kemi përkrahur Universitetin drejt ndryshimeve përmbajtësore që janë bërë si në Statut së fundi, ashtu edhe në secilën çështje tjetër drejt vetrregullimit dhe avancimit të performancës”.
“Veprimi i PDK-së është natyrisht në vazhdën e luftimit dhe sabotimit të vullnetit qytetar dhe reformave shtetërore të ndërmarra në shumë sektorë. Po ashtu, dërgimi i Statutit cenon rëndë autonominë e Universitetit, sikurse është tentativë për rikthimin e UP-së hapa pas ku ishte. Kriteret e standardet në Statut janë të vendosura nga vet Universiteti që ka kaluar nëpër një mori nivelesh nga Komisioni Profesional e gjithëpërfshirës deri te hallkat vendimmarrëse në Universitet si Senati dhe Këshilli Drejtues”, ka shkruar Nagavci në “Facebook”.
Ministrja e Arsimit ka thënë se Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë dhe se ngadalë por sigurt do të kthehet aty ku e ka vendin, universitet me autonomi, akademi, integritet e kredibilitet.