Nagavci i reagon Mustafës: Raportimi i kryeministrit është përgjegjësi e tij

21 tetor 2020 | 12:40

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas deklaratave të kreut të LDK-së, Isa Mustafa i cili ka thënë se tri interpelanca të njëpasnjëshme të kryeministrit Avdullah Hoti në Kuvendin e Kosovës janë “tri mësymje kundër tij”.

Nagavci ka theksuar se e drejta për mbikëqyrjen e punës së qeverisë nga ana e deputetëve është e garantuar me Kushtetutë dhe rregullore të Kuvendit.

“Reagimi i Kryetarit të LDK-së për interpelancat e thirrura nga deputetët e LV! tregon jo vetëm gjendjen dëshpëruese në të cilën kanë rënë, papërgjegjësinë e plotë, por edhe mënyrën se si e shohin pushtetin, pra pa llogaridhënie, pa transparencë e pa kompetencë. Zt. Mustafa e di se raportimi i Kryeministrit është përgjegjësi e tij, ndonëse zt. Hoti është kryeministër jolegjitim, por ai zgjedh ta quaj ‘mësymje kundër kryeministrit Hoti’”.

“Viktimizohet e mundohet të ndihmojë vartësin e tij duke folur me gjuhën e partnerit të tij të vjetër, zt. Thaçi. Njëjtë fliste dhe ai: ‘Jeni kundër Amerikës’. E në të njëjtën kohë vazhdon angazhimin për të shtyrë përpara ‘Zajednicën’, projektin e nisur nga Thaçi e të vazhduar nga ai vet.”

“Zt. Mustafa e di se sot me Kryeministrin jolegjitim nuk janë as 60 deputetë, as pjesa dërrmuese e qytetarëve, andaj dhe mundohen të ikin nga përgjegjësia dhe të shmangin zgjedhjet. Gjithë çfarë u ka mbetur është të fshihen si zakonisht në deklarata për kinse miqësinë, ndonëse të pabaza e të paqena”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas përfundimit të vazhdimit të seancës së Kuvendit ku janë…