Nagavci: Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, është i papranueshëm
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kërcënimi me grevë në arsim për 1 shtatorin, është i papranueshëm.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ajo ka thënë se greva është dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët.
Postimi i plotë i saj:
Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë.
Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë. Duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të kemi ndryshime pozitive.
Ata që ja duan të mirën vendit, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa.
Si Qeveri e në Ministri të Arsimit, po punojmë me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme.
Koha është për punë, e mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë t’u mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim.