Nagavci kërkon bashkëpunimin e komunave për ndërtimin e çerdheve të reja
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kanë siguruar buxhetin për ndërtimin e institucioneve parashkollore si dhe kanë bërë të gjitha analizat, buxhetet e projektet e gatshme për komunat, të cilat duhet t’i gjejnë lokacionet që i plotësojnë nevojat.
Nagavci në një konferencë për medie, ka njoftuar se u ka bërë thirrje kryetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës që t’i përgjigjen ftesës për bashkëpunim në ndërtimin e çerdheve të reja.
“Sot kam nisur një letër tek të gjithë kryetarët e komunave për te kërkuar angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në ndërtimin e çerdheve. Përmes kësaj letre kam kërkuar që të angazhohen personalisht që të pranojmë kërkesat e kompletuara, në mënyrë qe të vazhdojmë me procedurat tjera për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve për të mundësuar kështu edukimin në fëmijërinë e hershme”, ka thënë Nagavci në një konferencë për medie.
Ajo ka thënë se Ministria e Arsimit vitin e kaluar ka bërë një analizë në nivel vendi, ku për planifikimet janë njoftuar në vazhdimësi me takimet e rregullta që ka pasur me zyrtarë komunal.
“Ne gjatë vitit të kaluar kemi hartuar katër projekte modulare të cilat i kemi vënë në dispozicion të komunave për t’i përshtatur me lokacione. Projektet modulare i kemi finalizuar si projekte, me siguri, kohe të shkurtër dhe ndarjen e buxhetit të nevojshëm. Kemi siguruar buxhetin për ndërtimin e institucioneve parashkollore. I kemi të gjitha analizat, i kemi buxhetet dhe projektet janë të gatshme dhe komunat të gjejnë lokacionet që i plotësojnë nevojat”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka treguar edhe për shumat që janë ndarë për ndërtimin e çerdheve nëpër komuna.
“Në këtë kontekst kemi buxhet të garantuar, projekte të gatshme, vetëm kërkojmë qe komunat t’i përgjigjen gatishmërisë sonë. Nga janari kemi pesë kërkesa nga komunat për ndërtimin e çerdheve. 799 mijë euro për ndërtimin e çerdhes në Prizren. 742 mije euro për Suharekë, 81 mijë euro në Gjilan. Në Babush të Ferizajt 98 mijë dhe 85 mijë euro në Junik”, ka thënë Kelmendi.