Nagavci krenohet me punën e saj gjatë vitit 2023

28 dhjetor 2023 | 13:38

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka mbajtur të enjten konferencën e fundvitit, ku ka bërë prezantimin e punës njëvjeçare të Ministrisë.

Përkundër dështimit në PISA dhe pasi e kishte bërë “llugë” me çështjen e librave, Nagavci është krenuar me punën e saj.

Ajo ka treguar për rezultatet, vlerësimet, punën e sfidat e kësaj ministrie gjatë këtij viti.

Nagavci ka filluar fjalimin e saj me mësimin dual, ku sipas saj është më i rëndësishmi sepse kontribuon në mësim ashtu edhe një njohuri për tregun e punës te nxënësit.

Ajo ka thënë se Kosova ka pasur nevojë për këtë vendim, por se edhe ka qenë premtim i qeverisë që është duke u realizuar.

“Kemi rishikuar edhe kurrikulat profesionale, kemi filluar edhe me kualifikimin profesional të mësimdhënësve të arsimit dhe arsimit profesional dhe njohjes së përvojës paraprake të punës së tyre”, ka thënë Nagavci.

Rishikimi i teksteve shkollore të lëndës së gjuhës shqipe dhe matematikës ishte një arritje tjetër e ministrisë, sipas Nagavcit. Ajo tha se janë rishikuar 38 tekste nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Ajo ka folur edhe rreth rritjes së buxhetit për vitin 2024.

“Sa i përket buxhetit për arsim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ditë më parë miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm. Për fushën e arsimit gjatë vitit 2024 janë planifikuar 408 milionë e 988 mijë e 408 euro”, ka thënë ajo.

Nagavci ka thënë se kjo shënon rritje të buxhetit për këtë fushë.

“Sa i përket legjislacionit, do të doja të veçoja miratimin e ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, i cili është një hap shumë i rëndësishëm. Përmes këtij ligji rregullohet ofrimi i edukimit cilësor në të gjitha format e organizmit të edukimit për më të vegjlit tanë”, ka thënë Nagavci, duke shtuar se nga viti i ardhshëm shkollimi parafillor do të jetë i obligueshëm për çdo nxënës.

Më tutje, ajo ka përmendur se është hera e parë që Kosova ka një kolegj publik, ai i IBCM.

“170 mijë euro janë ndarë për shoqatat që punojnë me nxënësit me dhunti dhe talente të jashtëzakonshme, ku edhe janë ndarë shpërblime për ata nxënës”, ka bërë të me dije Nagavci.

Po ashtu sipas saj është iniciuar edhe ora e kodimit, që ka për synim që t’i mësojë nxënësit për teknologji dhe kodim.

“1 647 studentë që vijojnë studimet në nivelin bachelor dhe master në universitetet publike të Kosovës të cilët kamë notën mesatare 9 kanë përfituar nga një mijë euro, ku shuma totale është 1 milion e 647 mijë euro. 28 studentë me aftësi të kufizuara kanë përfituar nga një mijë euro dhe shumë totale është 28 mijë euro. 55 studentë të komuniteteve janë shpërblyer po ashtu me nga një mijë euro”, ka thënë Nagavci.

Ndërkohë ajo ka përmendur edhe ndërtimin e çerdheve dhe objekteve shkollore gjatë udhëheqjes së tyre në arsim.

“Në vitin 2023 ka përfunduar ndërtimi i çerdheve në Suharekë dhe Prizren, po vazhdon ndërtimi i 12 çerdheve të reja të cilat janë të kontraktuara me investime nga MAShTI dhe gjatë të tjera të cilat i kemi më projektet nga BE-ja. Sa i përket objekteve shkollore kemi përfunduar ndërtimin e gjashtë objekteve shkollore, po ashtu po vazhdon ndërtimi i 15 shkollave të reja”, ka thënë ajo.

Nagavci ka përmendur edhe ndarjen e shtesave nga ministria për nevojat e materialeve shkollore, nga 80 euro për nxënësit e klasave të para deri në të gjashtën, dhe nga 30 euro për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë.

Sa i përket testit PISA, ministrja ka thënë se rezultatet ishin të pritshme.

“Në Kosovë janë vlerësuar 6027 nxënës nga 229 shkolla dhe këto rezultate e rikonfirmuan edhe një herë atë që ka qenë e ditur nga rezultatet paraprake por edhe nga diskutimet e shumta që janë adresuar për cilësimet në arsim”, ka thënë ajo, duke shtuar se në tre muajt e ardhshëm do ta prezantojë një plan të detajuar për synimet që kanë rreth përmirësimit të rezultateve të nxënësve për testin e radhës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka…