Nagavci: Kurz shprehi skepticizmin për ushtrinë dhe liberalizimin e vizave
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, gjatë vizitës në Kosovë ka dhënë mesazhe të qarta.
Në profilin e saj në “Facebook”, Nagavci ka shkruar se porosia e kancelarit austriak ishte që Kosova duhet të normalizojë gjendjen e brendshme para se t’i normalizojë raportet me Serbinë.
“Deklaratat e kancelarit austriak Sebastian Kurz me të cilat ai shprehi skepticizmin si për formimin e ushtrisë së Kosovës, e po ashtu edhe për liberalizimin e vizave, ndërkohë që sipas tij, prioritet duhet të mbetet dialogu me Serbinë, dhe se do të mbështesin çfarëdo marrëveshje që del nga ky dialog, edhe nëse përfshin korrigjim kufijsh, janë mesazh i qartë. Kosova duhet të ketë prioritet normalizimin e gjendjes së saj të brendshme para normalizimit me Serbinë”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Kosova duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve, të reformojmë sistemin gjyqësor e të sigurisë, të reformojmë sistemin e arsimit i dhe të shëndetësisë në shërbim të ngritjes së cilësisë dhe përmirësimit të shërbimeve.
“Marrëveshja që u nënshkrua për demarkacionin me Malin e Zi, solli humbje të mbi tetë mijë hektarëve të territorit të Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër, përkundër premtimeve për liberalizimin e vizave. Kjo duhet të marrë fund. Ne nuk mund dhe nuk duhet të bëjmë marrëveshje me Serbinë për çfarëdo çmimi për njohje, por duhet të forcojmë shtetin tonë. Duhet të punojmë për një shtet ligjor, shtet të së drejtës e mirëqenies sociale”, ka shkruar deputetja e LV-së, Arbërie Nagavci.
/Epoka e re/