Nagavci: Kushtëzimet për dialog dhe moszëvendësimi i orëve të humbura, e ndërlikojnë situatën

11 shtator 2022 | 16:13

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar sërish për grevën në arsim.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” ka shkruar se është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi.

Nagavci ka theksuar se në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore. Ndërkaq, sipas saj, këtë vit vonesa po ndodhë për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK-ja dhe SBAShK-u.

“Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat”, ka thënë ajo.
Ministrja Nagavci ka deklaruar se paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për moszëvendësimin e orëve të humbura, vetëm sa e ndërlikojnë situatën.

“Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MAShTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit. Si Mmnistre, punonjëse e arsimit dhe qytetare e këtij vendi kërkoj nga kryesia e SBAShK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar dhe, bashkë me përfaqësuesit e degëve komunale, ta ftojë anëtarësinë e vet për t’iu kthyer punës, në mënyrë që të krijojmë atmosferë për vazhdimin e dialogut konstruktiv, që është parakusht për zgjidhjen e problemeve komplekse në sektorin e arsimit”, është shprehur ajo, duke theksuar se arsimi, në radhë të parë, është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë, për të cilën e kemi obligim që të punojmë të gjithë bashkë dhe të sigurojmë të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krahas presidentëve të shteteve të…