Nagavci: Mësimi plotësues ka ndihmuar nxënësit në arritjen e rezultateve

02 gusht 2021 | 14:42

Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit , Arbërie Nagavci ka bërë me dije se organizimi i mësimit plotësues për fëmijët që kanë pasur ngecje në mësim gjatë pandemisë, ka pasur rezultatet.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se është më se e domosdoshme që edhe vitin e ardhshëm shkollor të ketë një angazhim të shtuar në procesin arsimor.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Përhapja e pandemisë COVID-19 ka shfaqur vështirësi dhe sfida të mëdha në shumë dimensione e në veçanti ka reflektuar edhe në procesin edukativo-arsimor.

Një numër i konsiderueshëm i nxënësve nuk kanë arritur të përcjellin mësimin e të arrijnë të përmbushin rezultatet e duhura.

Në linjë me këtë, në fund të muajit prill morëm vendim që të organizohet mësim plotësues për fëmijët që kanë pasur ngecje në mësim gjatë pandemisë.

Falënderoj të gjithë mësimdhënësit, shkollat dhe DKA-të për punën dhe angazhimin e tyre në këtë proces.

Jam e bindur se procesi i organizimit të mësimit plotësues ka reflektuar dhe ndihmuar nxënësit sadopak në arritjen e rezultateve dhe kompensimin e mësimit të humbur.

Mësimi plotësues u organizua në fushat, Gjuhët dhe komunikimi, Matematikë dhe Shkencat natyrore, ku nevoja për mbajtjen e mësimit plotësues ishte më e domosdoshme.

Bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të raporteve komunale, del se mësimin plotësues e kanë vijuar gjithsej 181.630 nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën (I-XII), apo 61.64% e nxënësve në nivel vendi duke i realizuar gjithsej 100.365 orë mësimore.

Për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, konsideroj se është më se e domosdoshme që vitin e ardhshëm shkollor të kemi një angazhim të shtuar në procesin arsimor.

Viti shkollor 2021-2022, do të vazhdojë të jetë me aktivitete e mundësi për ata nxënës që kanë ngecje në të nxënë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alex Rodriguez duket se ende nuk e ka kaluar dot…