Nagavci ndryshon mënyrën e vijimit të vitit shkollor
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se viti shkollor do të ndahet në dy periudha kohore (gjysmëvjetori i parë dhe gjysmëvjetori i dytë), për, siç tha ajo, vlerësim sa më objektiv, të drejtë, transparent, valid e më praktik, të nxënësve.
Sipas Nagavcit, ky ndryshim është iniciuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve.
“Ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm, është inicuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve, pasi që është vlerësuar se ndarja e vitit shkollor në tri periudha, siç ka qenë deri më tani, paraqet sfida dhe vështirësi të shumta, ngarkesë të panevojshme formale e administrative dhe rrezikon përmbajtjen e materies vlerësuese”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Nagavci tha se udhëzimi i ri administrativ reflekton në përmbajtje cilësore të vlerësimit të nxënësve, shkarkimin e ngarkesës administrative për mësimdhënësit, informimin me kohë të nxënësve dhe prindërve për suksesin dhe rezultatin e nxënësve në lëndët e caktuara.
“Ky Udhëzim Administrativ për vlerësimin e nxënësve sipas Kornizës së Kurrikulës është në diskutim publik deri më 23 qershor 2022, prandaj ftoj të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë edhe gjatë këtyre ditëve me komente profesionale, në mënyrë që këtë dokument të rëndësishëm ta kemi sa më cilësor”, ka shtuar ajo.