Nagavci: Në zgjedhje do të garojmë me Vjosa Osmanin
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, këto do të sjellin një legjitimitet të ri të institucioneve.
“Për fat keq, është se kësaj radhe zgjedhjet po mbahen shumë shpesh. Ka një kohë të gjatë që në Kosovë nuk ka një qeveri stabël, që të ketë një mandat të plotë, por kjo në këtë radhë është e mirëseardhur se e konfirmoi Gjykata Kushtetuese. Në realitetin aktual, ku ne aktualisht nuk kemi kryeministër sepse sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese zoti Hoti asnjëherë nuk ka qenë kryeministër dhe qeveria Hoti aktualisht nuk më është një qeveri legjitime. Sa më shpejt që të mbahen zgjedhjet, do të sjellin një legjitimitet të ri të institucioneve në Kosovë”.
“Ne aktualisht dhe ligjërisht, do të duhej të ishim në pushtet, për më tepër të gjitha sondazhet e tregojnë se Lëvizja jo vetëm që është fuqia e parë politike në vend dhe do të fitojë bindshëm, dhe do të kalojë edhe 50 për qind dhe do arrijë që të krijojë një qeveri stabile”, ka thënë Nagavci.
Sa i përket bashkëpunimit me Vjosa Osmanin, ajo ka thënë se do të garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme.
“Varet sesi do të shkojë në zgjedhje Osmani. Për aq sa ajo ka deklaruar dhe kemi parë deri më tani sigurisht që do të krijojë një listë zgjedhore dhe do të garojë bashkë me ne në listën e përbashkët”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, duke u shprehur e bindur për fitoren e zgjedhjeve.
“Ne besojmë që do të garojmë bashkërisht në këto zgjedhje dhe do të fitojmë shumicën”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa për çështjen e koalicioneve me partitë e tjera, ajo ka nënvizuar se nuk do të ketë të tilla.
“Nuk besoj se do të kemi koalicion. Jam e bindur që nuk do të kemi me ndonjë parti, të paktën prej këtyre partive që kanë qenë në qeverisje”, ka thënë Nagavci për “Euronews Albania”.