Nagavci: Nuk i trembemi asnjë opozite
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me vezët me të cilat u sulmua sot zëvendëskryeministri Hoti.
Në reagimin e saj, ajo ka thënë se opozitarizmi duhet të jetë i bazuar në fakte dhe me propozime e ide alternative. Ajo ka shtuar se mirëpresin një opozitë konstruktive dhe që e mban përgjegjës ekzekutivin. Nagavci ka shkruar mes rreshtash edhe për qëndrimet e VV-së dhe të LDK-së për tarifën, shkruan “Epoka e re”.
“Ne, megjithatë nuk i trembemi as një opozite që zgjedh mjetin si të tillë, pa asnjë qëllim për të arritur, përveç mjetit që bëhet si qëllim në vete. Ndonëse kur mjetet përdoren pa pasur një qëllim në vete, kur nuk ka kauzë për të cilën ke bërë përpjekje të arrish rezultate, kur nuk ke përdorur asnjë mjet e rrugë parlamentare për të arritur qëllimet që mund të kesh, përdorimi i mjeteve joparlamentare vetëm se të shpërfaq smirën e zilinë dhe tregon se nuk ke asnjë fakt e argument për të kundërshtuar punën e mirë të pozitës, për të treguar se ke bindje e qëndrime parimore”, ka shkruar mes të tjerash Nagavci.
Reagimi i plotë i Nagavcit:
Të gjuash me vezë, nuk të bën në vetvete opozitar.
Opozita e pregatitur, e vëmendshme e aktive do ta bënte më të vëmendshme, më të përgjegjshme e më të kujdesshme edhe pozitën.
Opozitarizmi duhet të jetë i bazuar në fakte e argumente, me dhënje të propozimeve e ideve alternative. Asnjëherë, opozita e bërë si kundërshtim vetëm sa për të kundërshtuar, nuk do të jap as rezultate e as s’fiton përkrahje.
Ne mirëpresim një opozitë konstruktive, që është në gjendje të debatojë me argumente, që ka ide e mbanë përgjegjës ekzekutivin. Një opozitë e tillë jo vetëm se do të rriste kujdesin e pozitës, por do t’i bënte mirë demokracisë dhe zhvillimeve në vend.
Ne, megjithatë nuk i trembemi as një opozite që zgjedh mjetin si të tillë, pa asnjë qëllim për të arritur, përveç mjetit që bëhet si qëllim në vete. Ndonëse kur mjetet përdoren pa pasur një qëllim në vete, kur nuk ka kauzë për të cilën ke bërë përpjekje të arrish rezultate, kur nuk ke përdorur asnjë mjet e rrugë parlamentare për të arritur qëllimet që mund të kesh, përdorimi i mjeteve joparlamentare vetëm se të shpërfaq smirën e zilinë dhe tregon se nuk ke asnjë fakt e argument për të kundërshtuar punën e mirë të pozitës, për të treguar se ke bindje e qëndrime parimore.
Sa i përket tarifës, edhe LV! edhe LDK gjatë fushatës zgjedhore i kanë bërë të qarta dhe publike qëndrimet, kemi deklaruar se tarifën do ta zëvendësojmë me reciprocitet dhe qytetarët na votuan duke na dhënë legjitimitet për të realizuar premtimet tona./Epoka e re/