Nagavci për negociatat LV-LDK: Duhet durim e angazhim për të arritur te caku
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke folur për situatën aktuale rreth negociatave për formimin e Qeverisë me LDK-në, ajo ka thënë se interesimi i opinionit dhe vëmendja për çështjet që janë me interes të përgjithshëm është i natyrshëm dhe i pritshëm.
“Pa marrë parasysh se cilat janë motivet e interesimit, është legjitime e drejta për të ditur. Por nuk duhet harruar se shpesh herë ndalimi për të sqaruar gjithçka, mund të na pengoj për të arritur qëllimin final. Andaj dhe duhet durim e angazhim për të arritur te caku. Në Kryesinë e LV! i kemi deleguar detyrën e zhvillimit të bisedimeve grupit punues deri në gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendin, sipas vullnetit të shprehur nga qytetarët. Andaj dhe me besimin e plotë tek kryetari Kurti dhe kolegët tanë ftoj për durim”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta.
“Dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin. Rruga përpara është e gjatë, ka momente zhgënjimi e frike, por vendimet e drejta na sigurojnë që shpresa për zhvillim, angazhimi për drejtësi e kohët e bukura, të jenë më të afërta e të zgjasin më shumë”, ka thënë deputetja Nagavci, e cila është zgjedhur edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
/Epoka e re/