Nagavci pranon disa ekzemplarë të pullës postare “Shtëpitë shkolla”
Ushtruesja e detyrës së kryeshefes ekzekutive në Postën e Kosovës, Fakete Kadiu së bashku me menaxheren për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Argjira Grapci, u pritën në takim nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Kjo e fundit ka pranuar disa ekzemplarë të pullës postare “Shtëpitë shkolla” e cila është emetuar nga Posta e Kosovës me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të shtëpive shkolla.
“Ky edicion i pullave postare përcjellë mesazhin se arsimi është mbajtur gjallë edhe në kohë të vështira duke u bërë kështu bazamenti i shtetësisë së Kosovës. Përmes imazhit të pullës postare, nderohen të gjithë ata qytetarë që ofruan shtëpitë e tyre për shkolla, mësimdhënësit, nxënësit e prindërit për kontributin dhe qëndresën e tyre për ta mbajtur gjallë arsimin shqip”, ka thënë ministrja Nagavci.
Ushtruesja e detyrës së kryeshefes ekzekutive në Postën e Kosovës, Fakete Kadiu ka theksuar rolin dhe rëndësinë që ka pulla postare si një nga simbolet e shtetësisë, ndërsa potencoi nevojën e promovimit të këtyre pullave që janë edhe simbol i kujtesës kolektive dhe promovimit të Republikës së Kosovës.