Nagavci: Projektligji për tekstet shkollore përmirëson cilësinë e arsimit
Të premten në Komisionin për Arsim të Kuvendit të Kosovës është diskutuar për Projektligjin për tekste shkollore, të cilin është duke e kundërshtuar opozita.
Madje, në shenjë pakënaqësie, opozita ka lëshuar mbledhjen e këtij takimi.
Megjithatë, projektligjin e ka mbrojtur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Interesat e mia janë interesa që i shërbejnë të përgjithshmes, pra qëllimi, synimi im si ministre është që të përmirësoj cilësinë e teksteve mësimore. Nuk ka asnjë dyshim që tekstet kanë nevojë të përmirësohen dhe PDK-ja, apo kushdo qoftë tjetër, synon që të punojë për të mirën e fëmijëve tanë do duhej të paraqitnin argumente, jo shpifje”, ka thënë thënë Nagavci, raporton “EO”.
Sipas Nagavcit, ky projektligj do të ndikojë në cilësinë e arsimit.
“Është një projektligj tejet i rëndësishëm, i cili domosdoshmërisht do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë në arsim për shkak edhe të disa risive që i sjell, si p.sh recezentet – emrat e tyre do të jenë publik dhe nga fillimi do të kalojnë në proces të zhvillimit profesional duke adresuar të gjitha dimensionet që janë të rëndësishme në hartimin e teksteve shkollore”, ka deklaruar Nagavci.