Nagavci: Qeveria e pa interesuar për dialog, dëshiron ta përmbyll marrëveshjen siç e ka dakorduar Thaçi
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se qeveria Hoti nuk është e interesuar për dialog, por vetëm ta përmbyll marrëveshjen me Serbinë ashti siç e ka dakorduar presidenti Hashim Thaçi.
“E qartë se Thaçi ka planet e tij, e të tjerët janë koti aty, thjesht të zbatojnë planin”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e vet në “Facebook”, raporton “Epoka e re”.
Postimi i plotë i Nagavcit:
Kryeministri i Qeverisë ilegjitime e ilegale, heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë e ka ndër vendimet e tij të para. Saktësisht ashtu si kishte kërkuar ai që i krijoi Qeverinë, pra presidenti Thaçi.
Pasi e zhveshi Republikën e Kosovës nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror, bashkë me presidentin po angazhohen që vendimin i radhës të jetë heqja dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ndërkaq sot ka deklaruar se njohja e Republikës së Kosovës, nuk do të jetë temë diskutimi në Shtëpinë e Bardhë.
Serbisë as që i duhet të punoj më për përmirësimin e pozitave të saj negociuese, ajo ka Qeverinë jolegjitime të Thaçit dhe vetë presidentin e Republikës së Kosovës që angazhohen për të.
Kjo qeveri jolegjitime as që është e interesuar për dialog, këta duan vetëm të përmbyllin marrëveshjen, ashtu si e ka dakorduar e deklaruar presidenti Thaçi.
E qartë se Thaçi ka planet e tij, e të tjerët janë koti aty, thjesht të zbatojnë planin.