Nagavci takohet me përfaqësues të SBAShK-ut, kërkon që mësimi të nisë të hënën

09 shtator 2022 | 16:48

Me ftesë të ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot janë pritur në një takim në MAShTI, përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK-ut).

Ministrja Nagavci ka theksuar që secili prej “nesh e kemi obligim moral e ligjor të sigurohemi për mirëqenien e fëmijëve dhe garantimin e së drejtës së tyre për arsim”.

Me këtë rast, ajo kërkoi nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, që mësimdhënësit që nga e hëna të fillojnë procesin mësimor ndërkohë që dialogu do të vazhdojë.

“Ndonëse greva është shpallur nga BSPK për 84 mijë zyrtarë publikë, ajo tha se pjesa më e madhe e punëtorëve janë në vendet e tyre të punës, kurse ata që po pësojnë nga greva e shpallur janë rreth 320 mijë nxënës që kanë mbetur jashtë bankave shkollore”.

“Ministrja i informoi përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit, si dhe veprimet që i ka ndërmarrë MAShTI sa i përket përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve”, ka njoftuar MAShTI.

Ndërkaq, sipas njoftimit, përfaqësues të Sindikatës kanë thënë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre për 100 euro.

Ministrja Nagavci ka theksuar se MAShTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme.

Ndërkaq, ajo shtoi se diskutimet me SBAShK-un do të vazhdojnë sikur deri më tani.

Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit edhe njëherë ka bërë thirrje që, nga e hëna, të gjithë mësimdhënësit të jenë në shkolla dhe të fillojë procesi i rregullt mësimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia do të eksportonte 30…