Nagavci: Të gjithë fëmijët mësojnë gjuhën amtare shqipe me abetaren e përbashkët
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, në vendet e Bashkimit Evropian si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mësojnë gjuhën amtare shqipe me abetaren e përbashkët të ideuar për brezat e rinj.
Nagavci ka thënë se në fillim të mandatit si ministre ka nënshkruar marrëveshjen e përbashkët me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë.
“Abetarja e përbashkët unike. Të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, në vendet e Bashkimit Evropian si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mësojnë gjuhën amtare shqipe me abetaren e përbashkët unike të ideuar për brezat e rinj që do të mësojnë në këtë libër shkollor”.
“Me të marrë mandatin në vitin 2021 kemi nënshkruar marrëveshjen e përbashkët me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, mbi bazën e së cilës kemi ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm për të vegjlit tanë në mbarë botën. Falënderuese për të gjithë ju, kolegë e bashkëpunëtorë, për punën e përbashkët, besimin, mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në avancimin e pandalshëm të sistemit arsimor”, ka shkruar Nagavci në “Facebook”.