Nagavci thotë se pas formimit të institucioneve mund të flasin për kandidatin konsensusal për president
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se 26 dhjetori është dita kur duhet të konstituohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Ajo ka thënë se deri atëherë janë të interesuar që të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.
Nagavci në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se pas formimit të institucioneve mund të flasin edhe për çështjen e presidentit.
“Mund të flasim dhe për presidentin, madje jemi të interesuar të punojmë seriozisht në gjetjen e një kandidati ose kandidateje të denjë, konsensuale e që paraqet unitetin e popullit, ashtu si e kërkon Kushtetuta. Andaj pasi të jemi dakorduar plotësisht për qeverisjen, mund të angazhohemi seriozisht për pozitën e të parit apo të parës së vendit”, ka shkruar Nagavci.
Postimi i plotë i Nagavcit:
Data 26 dhjetor është dita kur duhet të konstituohen institucionet e vendit. Jo vetëm Kuvendi, por paraprakisht të jetë arritur dhe marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të LV! dhe LDK- së.
Si fitues të zgjedhjeve dhe si partia e parë në vend jemi të angazhuar e përkushtuar të arrimë marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në, të marrim përsipër përgjegjësitë që na janë besuar dhe të fillojmë punën e cila do të jetë e shumtë e jo e lehtë.
Duke ditur sfidat që na presin, është tejet e rëndësishme që të kemi mirëbesim paraprak e përkushtim për të qeverisur me profesionalizëm, dinjitet e transparencë. Kjo arrihet duke respektuar partnerin, duke bërë propozime, duke gjetur pikat që na ofrojnë e duke hapur mundësitë e bashkëpunimit.
Kushtëzimet e barikadimet janë e kundërta e këtyre më sipër, andaj dhe duhet të shmangen.
Qeveria Kurti do të sjell ndryshimet që i presin qytetarët, do të filloj një etapë të re për vendin, andaj duhet angazhim i të gjithëve që puna të filloj sa më parë.
Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çdo temë me interes për ne, për vendin e për partnerin qeverisës, sigurisht në kuadër të kompetencave ligjore, vlerave e principeve demokratike dhe brenda përgjegjësive kushtetuese.
LV! duke qenë gjithnjë konsekuente në qëndrimet e saj, ka mbrojtur ato me argumente. Kështu, në interes të arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me LDK-në, jemi pajtuar që të propozojmë për kryesues/e të Kuvendit një kandidat/e të LDK-së, ndonëse kjo e drejtë na takon neve si fitues të zgjedhjeve, dhe jemi pajtuar të ndajmë përgjegjësitë udhëheqëse ministrore në mënyrë të barabartë.
Mund të flasim dhe për presidentin, madje jemi të interesuar të punojmë seriozisht në gjetjen e një kandidati ose kandidateje të denjë, konsensuale e që paraqet unitetin e popullit, ashtu si e kërkon Kushtetuta. Andaj pasi të jemi dakorduar plotësisht për qeverisjen, mund të angazhohemi seriozisht për pozitën e të parit apo të parës së vendit.
Me mirëkuptim, me seriozitet e dashuri për vendit, ndryshe duhet të kthehemi dhe një herë tek sovrani.
/Epoka e re/