Nagavci: Vetëvendosje me qëndrim të pandryshuar për demarkacionin
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket demarkacionit më Malin e Zi, duke konfirmuar se nuk do ta votojnë këtë marrëveshje .
Deputetja e kësaj partie, Arbërie Nagavci, ka thënë se ata nuk do të lejojnë humbjen e territorit të Kosovës, pasi që sipas saj për këtë ka mjaftë dëshmi të cilat janë nxjerr edhe nga Komisioni Bulliqi.
“Lëvizja Vetëvendosje të gjitha qëndrimet e veta ka marrë duke pas parasysh interesin e vendit. Edhe në këtë rast qëndrimet e LVV janë në interesin më të mirë të vendit”, ka thënë Nagavci në “Klan Kosova”.
Ajo ka qenë kritike ndaj krerëve shtetëror, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj sa i përket shënjimit të kufirit me Malin e Zi.
“Haradinaj me qëndrimet dhe me sjelljet e fundit nuk ka kredibilitet të flasë për demarkacionin. Kjo është mundësi që Ramush Haradinaj të tërhiqet nga ajo që e ka thënë më parë për këtë çështje. Shihet që ka përdorur kauzën vetëm për të ardhur në pushtet. Ai po e tradhton qëndrimin e tij të mëparshëm dhe nënshkrimet e shumë qytetarëve. Marrëveshja nuk ka efekte juridike dhe është e pritshme që vet zoti Thaçi secilin veprim që do të marrë do të bëjë për të justifikuar veprimet e dëmshme dhe ani kushtetuese që i ka marrë si zëvendëskryeministër”.
“Marrëveshja e Thaçi me Vujanoviq nuk paraqet asnjë efekt juridik dhe është një tentativë për të manipuluar qytetarët dhe të tjerët. Mali i Zi e ka të ratifikuar këtë marrëveshje. Nuk paraqet asgjë të re marrëveshja, por gjetjet e komisionit të ri janë shqetësuese, pasi ka shumë shkelje nga komisioni i kaluar dhe prokurori i shtetit do të duhej të ishte duke i hetuar shkeljet që janë bërë”.
“Ne besojmë pas raporti i Komisionit Bulliqi dhe deputetët tjerë do të duhej të shqyrtonin seriozisht të gjitha dokumentet dhe të ishin të vëmendshëm për ato që do të votojnë”.
Sa i përket qëndrimit unik të Vetëvendosjes për të mos e votuar demarkacionin, Nagavci, ka thënë se “ata që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese nuk kanë dhënë dorëheqje nga Vetëvendosje dhe shpresojmë që nuk kanë ndryshuar asgjë. Shpresoj që të gjithë 32 deputetët e VV të jenë në një linjë”, shtoi ajo.