Nagelsmann: Refuzova shumë oferta për Gjermaninë
Julian Nagelsmann ka konfirmuar se ka pasur shumë oferta, por të cilat i refuzoi për të rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2026 me Federatën Gjermane të Futbollit.
Ai foli për këtë në një intervistë për “Magenta TV”: “Kam marrë një vendim të ndërgjegjshëm për të vazhduar bashkëpunimin me DFB. Kam pasur biseda tepër të mira me të gjithë. Rudi Voeller më ka kontaktuar shpesh, më shkruante se të gjithë ishin plotësisht në anën time. Të gjithë u përpoqën që në fillim ta zgjasja kontratën. Edhe para dy sukseseve të fundit ndërkombëtare, ky ishte një sinjal i rëndësishëm për mua. Në një klub mund të fitosh më shumë, por kjo nuk është qasja ime kryesore. Nëse do të kisha menduar paratë, ndoshta do të kisha përfunduar në një klub”.
“Nuk ishte vetëm Bayern Munich dhe DFB, që më bënë oferta, kishte edhe klube të tjera. Gjithmonë kam pasur një ndjenjë të mirë me DFB, kombëtarja ka qenë gjithmonë në prioritetet e mia. Në këtë zgjedhje u udhëhoqa nga të menduarit se çfarë është e mirë për mua, për familjen, çfarë është e mirë për dy vitet e ardhshme”, ka deklaruar Nagelsmann.